Maxhuni kërkon përkrahjen e KFOR-it për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral Salvatore Cuoci, të cilin e ka njoftuar me misionin dhe objektivat strategjike të policisë, në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore.
“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, krimit transkufitar, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë Maxhuni.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me autoritet e KFOR-it.
Maxhuni ka kërkuar nga gjeneral Cuoci, që ta përkrahë Policinë e Kosovës në anëtarësimin e saj në Interpol.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral Salvatore Cuoci, ka konfirmuar se do t’i kushtojë rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në nivel të drejtorëve rajonalë të të dy institucioneve.
/Epoka e re/