May ka arsyetuar negociatat me opozitën për Brexit-in
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka thënë se është dashur të kontaktojë me partinë Labutriste për t’i dhënë një ofertë për marrëveshjen e largimit nga Bashkimi Evropian, Brexit, në të kundërtën, siç tha, do të përballemi me rreziqet.
Në një deklaratë të shtunën, May tha se zgjidhja e vetme është largimi nga BE-ja me marrëveshje apo qëndrimi në bllok.
Disa konservativë kanë kritikuar kryeministren për bisedimet me laburistët, pas dështimit të saj për Brexit-in tri herë radhazi në Parlament.
Tre ditë bisedime në mes partive përfunduan pa marrëveshje të premten.
Lideri i partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha se ka pritur lëvizje të “vijës së kuqe” por nuk ka “vërejtur asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë”.
Corbyn është nën presionin e deputetëve të tij për të kërkuar një referendum të ri, ose çfarëdo marrëveshje që arrihet me qeverinë, duhet të nënshkruhet nga 80 deputetët që kërkojnë votë publike.
Brexit-i pa marrëveshje gjithnjë e më i mundshëm
May tha se pas të gjitha përpjekjeve me fuqinë e saj – për të bindur partinë e saj dhe mbështetësve nga Irlanda veriore – për të miratuar marrëveshjen që kishte arritur me BE-në vitin e kaluar, është dashur të krijojë një qasje të re ndaj situatës.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër përpos komunikimit me ligjvënësit”, duke shtuar se të dy partitë ishin pajtuar për nevojën e mbrojtjes së fuqisë punëtore dhe ndalesës së lëvizjes së lirë.
“Sa ma shumë që zgjatet, aq më shumë do të jemi në rrezik të moslargimit nga BE-ja kurrë”, shtoi May.
Mbretëria e Bashkuar ka afatin e fundit më 12 prill për tu larguar nga Bashkimi Evropian, por ende nuk është arritur marrëveshje në Parlament.
Këtë javë, May do të kërkojë nga Brukseli zgjatjen e afatit deri më 30 qershor, me mundësi të vendimmarrjes edhe para këtij afati nëse arrihet ndonjë marrëveshje./rel/