May raporton të martën rreth bisedimeve për Brexitin
Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, do t’i njoftojë të martën deputetët britanikë rreth bisedimeve të fundit që ajo ka zhvilluar për planin e saj të Brexitit, apo të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
May ka vizituar Dublinin dhe Brukselin javën e kaluar, për të biseduar rreth pengesës kryesore në plan: kufirit të dukshëm midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Muajin e kaluar, deputetët britanikë i kanë kërkuar kryeministres May që të gjejë alternativa për shmangien e këtij kufiri, raporton “Rel”.
Ndonëse BE-ja ka thënë se nuk do ta rinegociojë marrëveshjen për Brexit, përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët po vazhdojnë.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexiti pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.
Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij viti.
Vendimi pason një referendum të vitit 2016, në të cilin qytetarët britanikë kanë votuar pro Brexitit.