May shpalos prioritetet e Brexitit para homologëve evropianë
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka kërkuar nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian që të përqendrohen në arritjen e marrëveshjes për Brexit në dy muajt e ardhshëm, duke thënë se negociatat nuk do të zgjaten.
Brexiti nënkupton procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja, i cili duhet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm.
Ndër çështjet më të diskutueshme janë nivelet e integrimit të Britanisë me tregun e përbashkët të BE-së pas Brexitit dhe natyra e kufirit midis Irlandës së Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, anëtare të BE-së.
Në një darkë pune, të mërkurën në Salcburg, May u tha 27 homologëve evropianë se prioritet i saj janë mbajtja e lidhjeve ekonomike me BE-në dhe mbrojtja e Irlandës Veriore brenda Britanisë.
Brukseli këmbëngul se Irlanda e Veriut duhet të mbetet në përputhje me rregullat e saj, nëse nuk mund të gjendet një zgjidhje tjetër për t’i parandaluar kontrollet fizike të kalimit të mallrave në dhe nga Republika Irlandeze, raporton “Rel”.
May ka thënë se Brexiti është një sfidë “e komplikuar”, porse duhet të përfundojë në kohë.
Pa praninë e May, liderët e vendeve të BE-së do të diskutojnë sot çështje që përfshijnë marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në dhe problemet rreth kufirit irlandez.