May tregon afatin e fundit të votës për Brexitin në Parlament
Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se më 12 mars do të jetë vota e fundit për marrëveshjen e Brexitit, që vendos daljen nga Bashkimi Evropian, të planifikuar të ndodhë më 29 mars.
Duke folur për gazetarët, May ka thënë se bisedimet me Bashkimin Evropian janë ende duke vazhduar.
Më herët gjatë ditës, sekretari i Ambientit, Michael Gove, ka thënë se u ka bërë thirrje kolegëve të tij nga kabineti ta mbështesin votën për shtyrjen e votës së Brexitit, raporton “Rel”.
May ka thënë se largimi nga Bashkimi Evropian me marrëveshje dhe me kohë është ende në plan.
Ajo ka thënë se nuk do të ndërmarrë masa ndaj ministrave që kanë paralajmëruar se do të votojnë për shtyrjen e Brexit-it, nëse nuk arrihet marrëveshje. May ka thënë se shtyrja e procesit nuk e zgjidhë problemin.
Tre ministra të kabinetit britanik kanë deklaruar publikisht se do të mbështesin planin për vonimin e marrëveshjes për dalje nga Bashkimi Evropian nëse ligjvënësit do të votojnë kundër planit të kryeministres Theresa May për një marrëveshje të re me BE-në.