Mayweather rikthehet në ring në shkurt
Boksieri amerikan Floid Mayweather ka deklaruar se muajin e ardhshëm do të zhvillojë një tjetër sfidë “show”, këtë herë në Britaninë e Madhe.
Kjo do të jetë hera e parë që 45-vjeçari do të duelojë në këtë vend, ku asnjëherë në karrierën e tij nuk ka dueluar më parë. Mayweather, i tërhequr nga sporti profesionist në vitin 2017, nuk ka bërë me dije emrin e rivalit të tij. Prej disa vjetësh ai zhvillon duele të tilla “show”, kryesisht me personazhe të njohur, sfida nga të cilat arkëton milionë dollarë, nga sponsorët e të drejtat televizive. Hera e fundit që është ngjitur në ring ka qenë nëntori i vitit të kaluar, kur dueloi në Dubai.
Gjithsesi, Mayweather nuk ka ndër mend të ndalet në këtë rrugëtim të ri që ka nisur. Madje ai po zgjeron hartën e shteteve ku duelon, teksa për herë të parë do të duelojë në Angli.
“Do të rikthehem në ring në muajin shkurt dhe do të zhvilloj një duel “show” për fansat e mi në Angli. Zgjodha këtë vend, pasi aty nuk kam dueluar kurrë më parë si boksier profesionist. Shpresoj që në shkurt të realizoj këtë sfidë nëse do të jetë e mundur”, ka thënë Mayweather, i pamposhtur në karrierë.