Mazllum Baraliu: Bisedimet në Bruksel sërish të vështira me Vuçiqin
Profesori universitar, Mazllum Baraliu duke komentuar zhvillimet politike në vend dhe zgjedhjet në Serbi, tha se duke e parë sjelljen konstante të këtij presidenti (Aleklsandër Vuçiq) dhe vetë Serbisë do të jetë e vështirë edhe për Kosovën që të vazhdojë bisedimet me këtë.
“Duke i parë ato që i flet në Serbi, për konsum të brendshëm dhe ato që i flet në Bruksel, është shumë i vështirë ballafaqimi me të”, tha Braliu.
Këto komente Baraliu i bëri në “Info Plus” të RTK-së, duke thënë se kryenegociatori në bisedime Aleksandër Vuçiq është një njeri që nuk i besohet, ndonëse aktualisht është në një ‘sanduiq”.
“Vuçiq aktualisht është në një ‘sanduiq”, e edhe pas këtyre zgjedhjeve do të jetë kështu, bilës do ta ketë edhe më të vështirë, pas zgjedhjeve atje. Do të jetë i shtrënguar brenda atij ‘Sanduiqi’ në mes të lindjes dhe perëndimit. Me gjithat me strategjitë e tij, nuk do të jetë negociator serioz dhe faktor serioz në dialog ”, tha Baraliu, duke shtuar se ai nuk do të lëshoj pe sa i përket marrëveshjeve qoftë me gojë e qoftë me shkrim asaj në Bruksel dhe asaj në Ohër.
Po ashtu ai u shpreh, fitorja e Vuçiq në serbi mund t’i jap krah atij që të shoh destabilizimin e Kosovës, konkretisht në veri.
“Mund të pritet destabilizim i veriut, nuk është jashtë mendjes dhe logjikës që i gjithë boshti propagandistik i këtyre zgjedhjeve, jo vetëm i pozitës atje por edhe i opozitës ishte i orientuar ka Kosova dhe duke keqpërdorur atë. Pra nuk ka dallim sa i përket Kosovës në serbi si pozita ashtu edhe opozita”, tha Baraliu.
Gjithashtu, sipas tij, shqiptarët do të ishte mirë që të ishin së bashku dhe do të fitonin 3 deputet.
Ndërkaq duke i komentuar takimet konsultative të presidentes Osmani me partitë politike për draft-statutin, Baraliu i ka cilësuar si pozitive këto takime, duke thënë se njëra nga 30 kompetencat që ka presidentja është edhe ajo e mirëmbajtjes dhe funksionimit të mirëfilltë dhe stabil të institucioneve të vendit.
“Partitë politike janë institucione të rëndësishme qoftë ato në Kuvend, qoftë ato jashtë tij dhe pos kompetencë e presidentes është edhe obligim ligjor që të koordinojë me këto parti që do të ishte që këto parti t’i përgjigjen ftesës së presidentes”, ka thënë Baraliu.