
Mazllum Baraliu: Draftstatuti i Asociacionit, shtet brenda shtetit
Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që ditëve të fundit doli në publik, ka kompetenca substanciale dhe është shtet brenda shtetit.
Ai ka deklaruar të mërkurën në Konfront të KTV-së se nëse Asociacioni do të jetë sipas këtij draftstatuti, do ta gasë pushtetin juridik e kushtetues, duke u futur në mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
“Është një dokument që fillimisht e godet deri në substancë unitaritetin e Kosovës… E godet renditjen e pushtetit juridik kushtetues, futet në mes dhe është në fakt nivel i tretë i pushtetit dhe strukturë më shumë se menaxhuese, është më thjeshtë shtet në shtet dhe është ndërhyrje e inkorporim i plotë në segmente të caktuara në Kosovës. Do të thotë në përputhje me objektivat që janë shpallur të këtij akti juridik, që edhe mund të merret si kushtetutë paralele, e që thuhet se është në objektiva me prioritetet e Serbisë në Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Baraliut, teksti i draftit është i mjegulluar dhe i shkruar me shumëkuptimësi.
“Ky tekst në fakt jep ingirenca në shumë fusha. Ndërhyn edhe në raportet me Qeverinë, edhe në financim, edhe në kthimin e refugjatëve…”, është shprehur Baraliu.