Mazreku: BKS-ja fokus kryesor do ta ketë pagesën e dëmeve

04 janar 2021 | 23:20

Fokusi kryesor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) për vitin 2021 do të jetë pagesa e dëmeve,  gjithashtu BKS pret që këtë vit të kalojë përfundimisht plotësim-ndryshimi i Ligjit për Automjete.

Ushtruesi i detyrës se drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka deklaruar se për këtë vit presin të hyra financiare njëjtë si vitin 2020. “Për vitin 2021 kemi planifikuar që fokusi kryesor të jetë pagesa e dëmeve ku kemi bërë një rritje prej më shumë se 30%. Kurse sa i përket të hyrave sigurisht kemi planifikuar të jenë të njëjta me vitin 2020 sepse nuk e dimë se si do të përfundojë viti 2021. Sa i përket lehtësimeve kryesisht na nevojitet një përkrahje e madhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Infrastrukturës. E lehtësim e arritje të lehtësimit do ta quaja në rast se në pjesën e parë të vitit 2021 përfundimisht Kuvendi i Kosovës do ta ndryshojë Ligjin për automjete ku i bie që qytetarët nuk e kanë për obligim të paguajnë gjobat, tatimin në pronë dhe taksat komunale të cilat me një ankesë që kam dërguar te Avokati i Popullit po cilësohen si kundër Kushtetuese. Unë besoj që shumë shpejt edhe avokati i ri Naim Qalaj do ta rishikojë raportin dhe ai raport është pozitiv që kushtëzimet për automjete janë jo kushtetuese dhe me këtë rast roli im si drejtor përfundon sepse Ligji kalon në një formë tjetër”, u shpreh Mazreku.

“Dhe do të lobojmë që këto ndryshime të hiqen sa më shpejt dhe kemi kërkuar që edhe bartja e pronësisë brenda atij ligji të ndryshohet. Një person i cili e shet një veturë është i obliguar që taksat t’i paguajë prej fillimit. Po që nuk ndodh te pjesa e sigurimeve. Vetëm nëse kjo kalon impakti është mbi 15 milionë euro sepse ndikojnë që edhe numri i automjeteve të bie sepse kemi 150 mijë vetura të paregjistruara”, shtoi ai.

Duke treguar për sfidat që BKS-ja është ballafaquar gjatë periudhës se pandemisë, Mazreku theksoi se rënia e të hyrave ka qenë deri në -65 për qind.

“Viti 2020 sikurse për çdo biznes tjetër ka pasur paparashikimet e veta. Dhe si çdo biznes tjetër jemi ballafaquar me probleme të shumta sidomos sa i përket Byrosë Kosovare të Sigurimeve, sepse Byroja e shet një polisë kufitare. Dhe Kosova nuk është pjesë e kartonit të gjelbër. Si rrjedhojë e mos ardhjes së bashkatdhetarëve sigurisht që Byroja Kosovare ka pasur një ndryshim drastik sa i përket të hyrave sepse sipas të dhënave zyrtare që ne i kemi rëniet kanë qenë deri në – 65% dhe kanë vështirësuar edhe funksionimin e Byrosë dhe në anën tjetër ka pasur dëme dhe pagesa pothuajse njëjtë”, u shpreh ai.

Tutje Mazreku ka thënë se si industri janë organizuar që te pjesa e sektorit financiar të kompanisë së sigurimeve të bëjmë organizime në mënyrë që sistemi të jetë stabil. “Për të dalë në trafik duhesh të kesh një polisë të sigurimit pastaj edhe automjetin e regjistruar. Me mbylljen e qendrave të  regjistrimit javën e parë është vështirësuar funksionimi i tregut të sigurimeve mirëpo falë Bankës Qendrore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme kemi pezulluar disa nene dhe kemi mundësuar që qytetarët deri në muajin gusht të dalin në trafik vetëm më polisë sigurimi. Kurse nga muaji gusht ministria ka kthyer në funksion nenin dhe qytetarët kanë filluar t’i regjistrojnë veturat e tyre”, shtoi ai.

Tutje, Mazreku tha se kompanitë e sigurimeve kanë filluar të rimëkëmben falë masave të ndërmarra nga Banka Qendrore e Kosovës. “Nëse flasim për kompanitë e sigurimeve fillimi ka qenë shumë i vështirë, mirëpo në pjesën e dytë të vitit e kanë marrë veten dhe falë masave që ka ndërmarrë Banka Qendrore sot kemi treg stabil sa i përket kompanisë së sigurimeve dhe janë të gatshëm t’i paguajnë dëmet”, u shpreh ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Kryqit të Kuq, ku kompania e sigurimeve ka qenë e detyruar t’i paguajë 10 milionë euro, ka përmirësuar gjendjen e të hyrave në BSK. “Sa i përket të hyrave në pjesën e dytë të vitit ka pasur trend pozitiv për shkak të disa ndryshimeve që i kanë ndodhur dy, tri vjetët e fundit. Ne kemi tërhjek një masë apo një ngarkesë shtesë që kemi pasur nenin e Ligjit të Kryqit të Kuq dhe nuk është më aktiv. Pastaj ka ndryshuar ligji i korporatave. Në Ligjin e Kryqit të Kuq kompania e sigurimeve ka pasur të paguajë dëme 10 milionë euro që fatmirësisht Gjykata Kushtetuese përmes një procesi që ka iniciuar shoqata ka anuluar atë nen. Ligji i korporatave i vetmi sektor financiar në Kosovë që ka paguar tatim në qarkullim dhe jo në fitim. Pastaj janë ndryshuar edhe tarifat ku këto tri vendime kanë ndikuar që tregova të tejkalojë këtë pandemi që nuk ka qenë e lehtë për asnjë biznes”,  ka dekalruar Mazreku.

Më tej, Mazreku shtoi se sigurimet vullnetare janë në rritje.

“Sa i përket sigurimeve vullnetare është një trend në rritje. Nuk ka rënie të interesave. Sa i përket produkteve vullnetare rënie ka te pjesa e shëndetit. Kurse sa i përket sigurimit të pronës kjo është një pjesë e cila nuk ka qenë në një situatë shumë të keqe”.

Sipas tij, Qeveria ka kërkuar të ketë zbritje prej 35% të tarifave për polisa të sigurimeve kufitare e që Mazreku i konsideron të gabueshme.

Ai shpreson që nga muaji mars BKS-ja t’i kthehet normalitetit dhe të gjitha këto humbje t’i përmirësojnë gjatë vitit të ardhshëm.

“Qeveria ka kërkuar të ketë zbritje prej 35% të tarifave për polisa kufitare e cila unë mendoj që kjo është dashtë me ndodh e kundërta dhe jo të zbriten. Dhe kjo ka ndikuar negativisht sepse janë ulur të hyrat. Unë besoj që kjo situatë të vazhdojë deri në muajin mars dhe pastaj të fillojmë t’i kthehemi normaliteti dhe të gjitha këto humbje dhe mangësi t’i përmirësojmë gjatë vitit të ardhshëm”.

Mazreku potencoi se me marrëveshjen ndërmjet Byrosë së Kosovës dhe Bankës Qendrore është paraparë të themelohet një grup punues për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara në 5%.

“Me marrëveshjen që është nënshkruar ndërmjet Byrosë dhe Bankës Qendrore është paraparë që të themelohet grupi punues ku ky grup punues qëllim të vetëm ka ndërmarrjen e masave për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara”.

“Është duke u themeluar një grup punues ku gjithë këta përfaqësues kam kërkuar ta mbikëqyrin sektorin financiar. Ky grup do të dalë me propozime konkrete sesi këtë numër të automjeteve të paregjistruara ta ulim në masën prej 5% sa kërkohet edhe nga kartoni i gjelbër në mënyrë që Byroja për herë të parë të jetë më e kompletuar dhe t’i kryejë detyrat e brendshme”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Sot e ka ditëlindjen Udhëheqësi i popullit shqiptar…