Mazreku: Më pak se një për qind e qytetarëve kanë sigurime jetësore
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se më pak se 1 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë sigurime jetësore.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës shpenzojnë vetëm 44 euro në vit për sigurime, që përbën vlerën më të ulët në rajon.
Mazreku ka theksuar se industria e sigurimeve përballet me mjaft sfida, duke filluar nga legjislacioni tatimor.
“Epoka e re”: Z. Mazreku, kohën e fundit u raportua se sektori i sigurimeve në Kosovë përbën vetëm tre për qind të tregut të përgjithshëm. Sipas jush, pse përballemi me këtë shifër?
Mazreku: Po, është e vërtetë. Sipas raportit vjetor të BQK-së, industria e sigurimeve merr pjesë me vetëm 3 për qind në vlerën e aseteve të sektorit financiar. Sektori bankar dhe fondi pensional janë të mëdhenj, prandaj me automatizëm e bën industrinë e sigurimeve të ketë pjesëmarrje të vogël në strukturën e aseteve. Tregu i sigurimeve është shumë i vogël, primi i shkruar vjetor (pra të hyrat, jo profiti) janë 84 milionë euro dhe në kuptim të penetrimit (Primi i shkruar/GDP e vendit) dhe densitetit (Primi i shkruar për kokë banori) janë më të voglat në rajon (përjashto këtu Shqipërinë). Një ndër arsyet për shifra të tilla të ulëta është sistemi tatimor në Kosovë, i cili i ngarkon kontratat e sigurimit me 24.35 për qind taksa. Një politikë e tillë tatimore nuk haset në asnjë vend të rajonit e mos të flasim për vendet e BE-së. Në asnjë vend kompanitë e sigurimit nuk tatohen me shkallë prej pesë përlindësh në të hyra, por tatohen në profit real. Kurse sa i përket TVSh-së, sigurimet janë të liruara nga TVSh-ja si në rajon ashtu edhe në BE. Këto taksa paraqesin mjaft ngarkesë për penetrimin e tregu, pasi është ngarkesë e konsiderueshme për blerësin. Tutje, numri mjaft i madh i kompanive të sigurimit, në një treg kaq të vogël ka ndikuar që çmimet e sigurimit të jenë shumë të ulëta, gjë që pengon akumulimin e aseteve. Gjithashtu, si pasojë e rregullatives ligjore për sistemin Bonus Malus të aprovuar nga BQK-ja, primi i sigurimit në klasën më të madhe të sigurimeve zvogëlohet për çdo vit. Veç të tjerash, kjo mendoj se ka të bëjë edhe me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend, me mirëqenien sociale, me fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Epoka e re”: Llogaritet se deri në 30 për qind e veturave në Kosovë nuk janë të regjistruara. Çfarë humbjesh ju shkakton?
Mazreku: Kjo është një prej problemeve më të mëdha me të cilat industria e sigurimeve është ballafaquar nga paslufta. Realisht, ky fenomen ka ndikuar edhe në problemin e shtjelluar në pyetjen paraprake. Të dhëna të sakta për numrin e automjeteve të paregjistruara s’ka, por bazuar në studime të ndryshme e prononcime të ndryshme flitet për një numër rreth 15 për qind, por ka pas deklarata që është edhe rreth 30 për. Sipas një analize të përgatitur nga industria, vlerësohet të jetë rreth 35 000 – 40 000 automjete. Nëse bazohemi në këtë numër, kompanitë e sigurimeve humbin të hyra vjetore rreth pesë milionë euro. Por, s’janë vetëm kompanitë e sigurimeve që humbin, është edhe buxheti i shtetit që humbet po aq të hyra si pasojë e mosinkasimit të taksave të regjistrimit, TVSh-së etj. Përtej humbjeve në të hyra, kompanitë e sigurimit janë të obliguar që të paguajnë dëmet që i shkaktojnë këto automjete të paregjistruara. Në vitin 2017 vlera e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve për këto automjete ishte 3.3 milionë euro, kurse në vitin 2016, 3.95 milionë euro. Pra, brenda një viti, kompanitë privohen nga pesë milionë euro të hyra, në anën tjetër obligohen të paguajnë dëme prej katër milionë euro në vit. Pra, po flasim për një dëmtim prej rreth 9 deri në 10 milionë eurosh në vit. E tëra kjo humbje është si pasojë e mos zbatimit të ligjit, pasi që regjistrimi dhe sigurimi i automjetit është i detyruar me ligj. Prej vitit 2006 e këndej kompanitë e sigurimeve janë ballafaquar me mbi 40 milionë euro për dëmet e shkaktuara nga automjetet e paregjistruara, që paraqesin humbje të parimbursuara për kompanitë e sigurimit.
“Epoka e re”: Cili lloj i sigurimit është më i kërkuar nga qytetarët e Kosovës sa iu përket atyre jetë dhe jo jetë. Pra, cilat janë shifrat?
Mazreku: Sigurimi i autopërgjegjësisë ndaj palëve të treta – “TPL”, është më i kërkuari, sigurim ky i detyrueshëm për regjistrimin e automjetit. Ky lloj sigurimi merr rreth 60 për qind të primit të përgjithshëm vjetor. Lloji i dytë është sigurimi shëndetësor privat, që përbën rreth 15-16 për qind të primit vjetor, shifër kjo mjaft e lartë që vjen si pasojë e mosfunksionimit të sigurimit shëndetësor publik. Sigurimi i pronës nga zjarri përbën vetëm 4.7 për qind të të hyrave, ndërkohë që sigurimi i jetës përbën më pak se 1 për të primit të shkruar vjetor. Thënë në përgjithësi, qytetarët e Kosovës shpenzojnë mjaft pak për sigurime. Në Kosovë, një banor shpenzon mesatarisht 44 euro në vit në sigurime, ndërkohë që kjo shifër është 65 euro në Maqedoni, 124 euro në Mal të Zi, 274 euro në Kroaci e 970 euro në Slloveni.
“Epoka e re”: Sa ka interesim nga investitorët e huaj për të investuar në sektorin e sigurimeve tani, sepse janë larguar tri kompani të sigurimeve nga Kosova?
Mazreku: Tek kompanitë e sigurimit të jetës kemi dy kompani, njëra sllovene, tjetra austriake-shqiptare. Tek kompanitë e sigurimit jo-jetë, nga gjithsejtë 12, dy janë nga Shqipëria, 2 austriake, por të konsoliduara në Shqipëri, një është sllovene dhe të tjerat, pra 7 janë vendore. Në vitet e fundit kemi pasur tërheqje të investitorëve të huaj në këtë industri. Është tërhequr “Croatia Sigurimi” nga Kroacia, “GRAWE”, nga Austria është tërhequr nga dy kompanitë jetë dhe jo-jetë me të cilat ka ushtruar aktivitet si dhe kemi pas tërheqjen e një investitori nga Turqia. Andaj, si rrjedhojë e kësaj mund të them se problemet e lartcekura ishin arsyet e largimit të investitorëve të huaj. Ndërkaq, s’ka pas interesim të investitorëve të rinj. Kjo paraqet një shqetësim për një vend si Kosova, ku investimet e huaja direkte janë të një interesi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Epoka e re”: Sektorët më të rrezikuar në Kosovë si policia dhe zjarrfikësit nuk kanë sigurime. Çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim?
Mazreku: Në parim, ekzistojnë tri lloj të sigurimeve (mbulesave siguruese) që ofrohen në treg dhe që do të mund t’i siguronin shërbyesit e përmendur, siç janë: Sigurimi nga aksidentet personale, që do të ofronte një shumë zhdëmtimi – kompensimi në rast të vdekjes apo invaliditetit si pasojë e aksidentit. Sigurimi shëndetësor, që ofron rimbursim të shpenzimeve që krijohen për të siguruarin për të trajtuar një sëmundje. Sigurimi jetësor, që do të ofronte një përfitim për anëtarët e familjes të të siguruarit me rastin e vdekjes së tij (pa marrë parasysh nga aksidenti apo vdekje e natyrshme). Që të tria këto lloj të sigurimeve mbulojnë aspekte të ndryshme të rrezikut dhe e kompletojnë njëra-tjetrën. Personalisht, mendoj se policët, zjarrfikësit dhe shërbyesit e tjerë të kenë që të tria këto mbulesa. Jo se me këtë do të nënkuptohej vetëm për të hyra shtesë për industrinë, porse me këtë do të sigurohej një mirëqenie për policët, për familjet e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi. Por, kjo çështje ka edhe implikime buxhetore dhe, si e tillë, u mbetet politikbërësve që të vendosin për këto sigurime. Në tregun e sigurimeve ofrohen të gjitha këto lloje të sigurimeve andaj u mbetet organeve kompetente për të vendosur për sigurimin e mundshëm të tyre.
“Epoka e re”: Ka ankesa të shumta nga qytetarët e Kosovës se ka vonesa për kompensim në rast të aksidenteve edhe pas verdiktit të sistemit gjyqësor. Pse po ndodh kjo?
Mazreku: Duhet ta kuptoni se procesi i trajtimit të dëmeve dhe kompensimi i qytetarëve në rast të aksidentit është proces mjaft delikat. Në asnjë rast i dëmtuari s’ka të drejtë të shpërblehet për dëmin më shumë se saqë është vlera reale e dëmit, por as edhe më pak. Në praktikë, jo gjithherë mund të vijmë tek vlera reale e dëmit, kjo posaçërisht vlen për rastet me lëndime trupore apo edhe me vdekje. Në këto raste procesi gjyqësor mund te zgjasë shumë, por kjo s’është dukuri vetëm tek ne, por është në të gjitha vendet për shkak të kompleksitetit të punës. Gjykatat në Kosovë po bëhen më efikase çdo ditë e më shumë dhe në rast se të dëmtuarit s’arrijnë marrëveshje direkte në procedurë jogjyqësore me kompaninë e sigurimit, ata mund t’i adresohen gjykatës. Në momentin që vendimi i gjykatës është i ekzekutueshëm nga Gjykata e Apelit, një vendim i tillë duhet ekzekutuar, edhe pse kompanitë e sigurimit mund të vazhdojnë tutje me procedura ligjore në Gjykatë Supreme të Kosovës. Madje, të dhënat statistikore të publikuara nga BQK, ato tregojnë për një numër mjaft të madh të qytetarëve të kompensuar. Në vitin 2017 kanë qenë gjithsejtë 139 796 dëme të paguara në vlerë prej 42 845 505 euro (në vitin 2016 ka qenë në vlerë prej 37.2 milionë eurosh). Bazuar në atë se për t’u kompensuar një dëm, pala e aksidentuar duhet të pajtohet me kompaninë e sigurimit lidhur me vlerën e kompensura, kjo do të thotë se 139 796 qytetarë gjatë vitit 2017 janë pajtuar me kompaninë e sigurimit lidhur me vlerën e dëmit. Natyrisht, kur kemi një numër kaq të madh të dëmeve, mund të ketë edhe vonesa të mundshme, gjë që mund të vijnë nga gabimet, apo edhe se kompanitë duhet të jenë shumë të kujdesshme për t’i ndalur keqpërdorimet eventuale. Jemi dëshmitarë që kohët e fundit Policia e Kosovës ka arrestuar grupe kriminale që kanë inskenuar aksidente për të përfituar nga sigurimi. Në Kosovë numri i aksidenteve është mjaft i madh përfshirë ato me fatalitet dhe në Kosovë në çdo 1000 automjete, rreth 65 prej tyre shkaktojnë aksident. Në Slloveni ky numër është gati përgjysmë më i vogël, gjithsejtë rreth 35. Kjo do të thotë, se shumë më shumë ka aksidente këtu, shumë më tepër aksidente me fatalitet, më shumë aksidente më dëme materiale. Të gjitha këto dëme duhen trajtuar dhe paguar nga kompanitë e sigurimit dhe procesimi i tyre s’është i thjeshtë.
Albulena S. MAVRAJ