Mazreku: Pandemia e Covid-19 po e dëmton sektorin e sigurimeve, mos dilni në rrugë pa sigurimin e automjeteve
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka thënë se pandemia e Covid-19 ka dëmtuar sektorin e sigurimeve dhe se kjo periudhë mund ta përkeqësoj situatën.
Ai në një intervistë për “Telegrafin”, ka apeluar të mos dilet në rrugë pa sigurimin e automjeteve.
Mazreku ka theksuar se kompanitë e sigurimeve janë duke punuar gjashtë orë në ditë në mënyrë që t’iu ofrohen shërbimet e kërkuara nga qytetarët.
Telegrafi: Si po ndikon pandemia e koronavirusit në industrinë e sigurimeve?
Sami Mazreku: Si në çdo biznes tjetër në vend, pandemia e koronavirusit ka dëmtuar tej mase edhe industrinë e sigurimeve në vend, pasi numri i policave të shitura nga kompanitë e sigurimeve ka rënë në minimum, deri sa në anën tjetër në rruge kemi mjaftë automjete që po qarkullojnë, madje edhe pa regjistrim fare. Rritja e numrit të automjeteve ta pa siguruara në këtë fazë edhe më shumë keqëson situatën, pasi që aksidentet që shkaktojnë ata sipas ligjit në fillim duhet të kompensohet nga Fondi i Sigurimit, i cili mirëmbahet nga kompanitë e sigurimit, deri sa më vonë kompanitë kërkojnë rimbursim nga shkaktar i aksidentit.
Telegrafi: Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit, a mund të ketë pasoja në shtimin e veturave të pa regjistruara?
Sami Mazreku: Po, vendimi për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve ka ndikuar direkt në rënien e menjëhershme të shitjes së policave të sigurimit, e ku si pasojë numri i automjeteve të pa regjistruara po rritet me një intensitet të madh. Ne mendojmë se në këtë fazë Institucionet e Kosovës në pamundësi të hapjes se qendrave të regjistrimit duhet të udhëzojnë qytetaret që së paku nëse ata vendosin të dalin në qarkullim ta kenë edhe policën e sigurimit.
Telegrafi: Si po funksionojnë kompanitë e sigurimeve në këtë kohë të pandemisë?
Sami Mazreku: Në këtë kohë të pandemisë kompanitë e sigurimeve janë duke operuar me orar të shkurtuar nga ora 9:00 deri në orën 15:00, ku dhe janë duke kryer të gjitha shërbimet e mundeshe. Po ashtu, për të shmangur tollovitë në zyrë, kompanitë e sigurimeve gjatë kësaj kohe kanë krijuar edhe alternativa të ndryshme për tu ofruar qytetareve shërbimin sa më mirë që është e mundur, siç janë shitjet online, përmes postës elektronike, etj.
Telegrafi: Si janë mundësitë për sigurimin e automjeteve në këtë kohë?
Sami Mazreku: Të gjitha kompanitë e sigurimeve që janë te licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës ofrojnë të gjitha shërbimet për qytetarë në zyrat e tyre nga ora 9:00 deri në orën 15:00.
Telegrafi: Në rast të aksidenteve në këtë kohë në komunikacion dhe mungesa e pasjes së sigurimit kush i barë pasojat?
Sami Mazreku: Siç e potencova edhe më lartë, të gjitha demet që shkaktohen nga automjetet e pasiguruara, demet i mbulon Fondi i Kompensimit, por më pastaj fondi përmes procedurave kërkon rimbursim nga qytetari që ka shkaktuar aksidentin.