Mazreku: Po humbim njerëz si në kohë lufte
Shkruan :Sami MAZREKU
Rritja enorme e aksidenteve me fatalitet, por edhe e aksidenteve tjera me dëme materiale, si çdo qytetar të Kosovës, edhe mua si Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës më ka shqetësuar tej mase. Kjo që po ndodh çdo ditë, është shumë e dhimbshme, së pari për familjarët që po humbin më të dashurit e tyre, është e dhimbshme për shoqërinë, por edhe për shtetin. Po humbim njerëz si në kohë lufte, nuk ka se si të interpretohet ndryshe.
Por, me një angazhim të përbashkët unë mendoj se do të arrijmë që ta stopojmë ketë fenomen. Për të ardhur deri te aksidentet e tilla me fatalitet, por edhe me lëndime të lehta, apo edhe të rënda trupore janë disa arsye, për të cilat autoritetet përgjegjëse kanë dhënë vlerësimet e tyre.
Fenomeni në rritje i aksidenteve me dëme minimale në automjete, por me pasoja të rënda shëndetësore së fundmi, është shumë shqetësuese për industrinë e sigurimeve.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se vetëm gjatë vitit 2017, shuma e dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar ndaj qytetarëve është mbi 42 milionë euro, derisa gjatë pjesës së parë të viti, në emër të kompensimeve kompanitë e sigurimeve kanë paguar hiç më pak se 15 milionë euro.
Shqetësues është fakti kur në aksidente të ndryshme komunikacioni, qytetari kërkon kompensimin e dëmit dhe në dosje sjellë raporte të CT-së të një personi tjetër, e cila është lëshuar para shumë vitesh. Madje kemi raste kur qytetari tregon për probleme në kokë, derisa në kompani ka sjellë raportin dhe faturën për kompensim të një CT-je të një personi tjetër në pjesë tjetër të trupit. Ka dhe shumë forma tjera që përdorin qytetarët për të përfituar jashtëligjshëm nga kompanitë e sigurimeve.
Por, rastet e rrejshme përpos që dëmtojnë rëndë industrinë e sigurimeve, ato dëmtojnë rëndë edhe personin i cili ka shkaktuar aksidentin, pasi që në rastet kur ka të lënduar, në mënyrë automatike kemi të bëjmë me vepër penale dhe qytetari në fjalë mund të dënohet më burg dhe me gjobë, edhe në rastet kur në bazë të pamjeve të vendit të aksidentit kemi të bëjmë vetëm më gërvishtje të veturave.
Është koha, por edhe momenti i fundit, kur të gjithë së bashku duhet të angazhohemi dhe ta eliminojmë këtë dukuri të shëmtuar, që në një të ardhme jo të lagët do të na sjellë vështirësi serioze edhe në anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër. Nëse angazhohemi tash, do të kemi më pak punë, e më shumë rezultate. E nëse e lëmë për të ardhmen, do të kemi shumë punë e pak rezultate.
(Autori është Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës)