Mazreku – shoferëve: Siguroni automjetet, polisa kushton 140 euro, pa të s’mund të lëvizni
Shoferët në Kosovë askush s`mund t`i dënojë për shkak të mos regjistrimit të veturave. Të paktën jo në këtë kohë pandemie. Megjithatë, të njëjtit, për të lëvizur lirshëm dhe për t`i shpëtuar gjobës me patjetër duhet ta kenë të paguar sigurimin.
Për këtë vendim dhe çështje të tjera që lidhen me Industrinë e Sigurimeve, në një intervistë për portalin “Front Online”, ka folur drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku.
“Me datën 16 mars Ministria e Punëve të Brendshme e ka nxjerr një vendim për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve e cila ka ndikuar direkt edhe në industrinë e Sigurimeve, sepse menjëherë është vërejtur ndalja e blerjes së polisave të sigurimeve. I kemi bërë kërkesë MBP-së, meqenëse ndalohet vetëm regjistrimi i automjeteve, por nuk është ndaluar qarkullimi, atëherë që personat të cilët dalin në qarkullim, minimalisht të mos dalin pa sigurime. Kërkesa ka qenë që të ndërrohet një udhëzim, që kushdo që blen sigurim gjatë kësaj kohe, në kohën kur qendrat e regjistrimit fillojnë funksionalizimin, qytetarët mos të kenë nevojë me ble sigurime të tjera. E njëjta kërkesë është pranuar. I bie që sot lirshëm mund të vozitim vetëm me sigurim”, është shprehur Mazreku.
Ai më tej ka thënë se nëse bazohemi në të dhenat e MBP-së e regjistër figurojnë rreth 148 mijë automjete të pa regjistruara, por nuk e kemi një përgjigje të saktë se sa prej këtyre mjeteve janë në qarkullim. “Fondi i Sigurimeve në vitin 2019 për dëmet e këtyre veturave ka paguar 4.4 milionë. I bie që në njërën anë kompanitë nuk inkasojnë mjete për plisat e sigurimeve dhe në anën tjetër duhet të paguajnë mesatarisht nga 3.7 deri në 4.5 milionë euro në vit. Kjo na shkakton neve humbje të mëdha. Pas datës 27 mars ka një ndryshim edhe në shitjen e polisave të sigurimit dhe në funksionalizimin e zyreve të kompanive të sigurimeve. Si çdo herë duke i respektuar rekomandimet e Institucioneve Shëndetësore ka ndërruar orari, tash punojnë nga ora 9 deri në orën 3 dhe sigurisht që zyrën qendrore ka reduktim të stafit, punojmë me ndërrime, por pjesa e shitjes, që janë rreth 500 zyre të licencuara në tërë territorin e Kosovës, janë aktive dhe u ofrojnë këto produkte të sigurimeve. Pra, çdokush që dëshiron të dalë në trafik e ka të mundshme në cilën do kompani që ai vendos, ta blejë sigurimin. Kompanitë po funksionojnë, normal ky funksionim nuk është i njëjtë si para rastit të parë të prekur me koronavirus. Sigurisht tash është një funksionim ndryshe, sepse ka ndikuar komplet kjo pandemi”, ka thënë ai.