Mba për herë të dytë fiton çmimin ‘ylli i javës’
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, “Albi Mall”, vazhdojnë të japin çmimin “ylli i javës”. Çmimi i më të mirit në javën e gjashtë në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Trepça ’89, Christian Mba.
Për sulmuesin Mba kjo është hera e dytë që e fiton çmimin e ‘Yllit të Javës’ në këtë edicion, pasi të njëjtin e kishte fituar edhe në javën e parë. Komisioni vlerësoi se Mba ishte protagonisti kryesor në fitoren që Trepça ’89 e arriti si mysafire në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj kundër Drenicës me rezultat 5-2.
Christian Mba, përveç se shënoi dy gola (28’, 90’), asistoi edhe në golat e shënuar nga Bleon Sekiraqa (24’) dhe Erdin Dushi (52’). Çmimin “ylli i javës” për futbollistin e Trepçës ’89 e dorëzoi drejtori i marketingut në “Albi Mall”, Albi Humolli. Pas vlerësimit për herë të dytë me çmimin “Ylli i Javës”, Christian Mba ka thënë se ndihet i lumtur për ecurinë e mirë të tërë ekipit. “Është një fillim i mrekullueshëm për mua dhe për skuadrën time. Jam këtu për të dhënë më të mirën time. Ky çmim nuk e pasqyron vetëm lojën time, por edhe punën ekipore të bashkëlojtarëve të mi dhe të shtabit teknik. Ne me të vërtetë po e bëjmë më të mirën me punë. Do të punojmë me përkushtim që të jemi në pjesën e epërme të renditjes dhe, pse jo, ta rikthejmë trofeun e kampionit në Mitrovicë dhe ta bëjmë të lumtur secilin qytetar të Mitrovicës”, ka thënë Mba.