Mbahen dëgjimet buxhetore në Bashkësinë Lokale Prekaz i Epërm dhe Klinë e Epërme
Në kuadër të ciklit të dëgjimeve buxhetore, kanë vazhduar edhe të martën dëgjimet buxhetore me publikun, në dy bashkësitë lokale, Prekaz i Epërm dhe Klinë e Epërme.
Fillimisht është mbajtur dëgjimi buxhetor në fshatin Prekaz i Epërm, ku para qytetarëve të fshatrave që bëjnë pjesë në këtë bashkësi lokale (Mikushnicë, Lubovec, Prekaz i Epërm, Prekaz i Poshtëm) nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, ka folur për rëndësinë e këtyre dëgjimeve, në të cilat qytetarët kanë mundësi t’i adresojnë kërkesat, shqetësimet dhe nevojat e tyre, në mënyrë që ato pastaj të futën në listën e investimeve gjatë viteve në vazhdim.
Nënkryetari Lushtaku ka qenë i shoqëruar edhe në kryesuesja e Kuvendit Komunal, Fatbardha Haliti, deputeti në Parlamentin e Kosovës, Bekim Haxhiu, si dhe drejtorët e drejtorive komunale të Skenderajt.
Qytetarët, në anën tjetër, kanë paraqitur kërkesat e tyre, që kishin të bënin kryesisht me investimeve në projektet rrugore brenda fshatrave, kanalizimeve, si dhe ujësjellës.
Pas kësaj, dëgjimi tjetër buxhetor është mbajtur në Klinë të Epërme, ku qytetarëve nga fshatrat që gravitojnë në bashkësinë lokale të Klinës së Epërme (Klinë e Epërme, Klinë e Mesme, Kotorrë, Kuqicë Tërrnac) iu është drejtuar kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili gjithashtu ka folur për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këto dëgjime, si dhe ka prezantuar punën e përgjithshme që aktualisht është duke u bërë në komunën e Skenderajt.
Ndërkaq qytetarët e fshatrave përreth Klinës së Epërme, kanë parashtruar kërkesa për investime në zonat ku ata banojnë, sic janë projektet e infrastrukturës rrugore, kanalizime, ujësjellës si dhe rrethojë për Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë të Epërm.
/Epoka e re/