Mbahen homazhe në Prishtinë në nderim të viktimave të aksidentit tragjik
Në nderim të bashkatdhetarëve tonë që humbën jetën në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm në Kroaci, do të mbahen homazhe me ndezje të qirinjve.
Qeveria fton qytetarët që sonte para Teatrit Kombëtarë, nga ora 21:00 të dalin për të ndezur qirinj.
“Në nderim të bashkatdhetarëve tonë që humbën jetën në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm në Kroaci, së bashku le të bëjmë homazhe me ndezje të qirinjve para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, sonte, nga ora 21:00”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndryshe, 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku sot në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus nga Kosova doli nga rruga dhe u përmbys.
Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi. Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë. Në autobus ishin 69 pasagjerë.