Mbahen mbi 1 500 ligjërata online në UP

20 mars 2020 | 15:51

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga e hëna, ka filluar me mësim virtual për të gjithë studentët e tij, nëpërmjet platformave të “G-Suite for Education”, në të cilën UP-ja ka qasje si institucion.

Në më pak se katër ditë, rreth 25 mijë përdorues janë qasur në ligjëratat virtuale të Universitetit të Prishtinës.

Më saktësisht, në periudhën 16 -19 mars 2020, janë mbajtur 1529 ligjërata, duke dëshmuar interesim dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme të stafit dhe studentëve në mësim virtual.

Kohëzgjatja e ligjëratave dhe oraret kanë qenë të njëjta, gjë që e bën këtë formë të komunikimit një mënyrë të suksesshme për vijim të mësimdhënies në kohën kur COVID-19 është shpallur pandemi dhe qeveria e vendit ka marrë vendim për mbyllje të institucioneve arsimore.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka thënë se mësimi virtual është mënyra e duhur për të mos u distancuar nga mësimdhënia dhe mësimnxënia për stafin dhe studentët e UP-së, ndërsa ka falënderuar prorektorët përgjegjës, dekanët, stafin nga Zyra për Teknologji të Informacionit të UP-së për punën e bërë që mësimi të zhvillohet duke shfrytëzuar maksimalisht të gjitha potencialet e UP-së.

Rektori Dema, në veçanti, ka falënderuar studentët dhe profesorët që e kanë mbështetur këtë formë të mësimit, duke shfaqur bashkëpunim dhe vullnet të madh për tejkalim të situatës së pazakontë, në të cilën gjendet vendi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i FFK-s, Agim Ademi ka vazhduar edhe sot vizitat…