Mbahen protesta para SPAK-ut për lirimin e Ilir Metës
Mbështetës të Ilir Metës të premten kanë protestuar nga ora 12:00 para objektit të SPAK-ut në Tiranë.
Protesta në fjalë ishte e organizuar nga Partia e Lirisë (PL). Protestuesit mbanin në duar pankarta: “Poshtë diktatura” dhe “Jo drejtësi me regji”, mbështetës të Ilir Metës kanë përcjellë mesazhe kundër SPAK dhe pro lirimit të Ilir Metës.
Protesta është thirrur nga Ilir Meta, i cili nga qelitë e paraburgimit u ka kërkuar të mbajnë protesta para SPAK-ut.
“A2CNN” ka raportuar se në fjalën e tij sekretari i PL-së, Tedi Blushi e ka akuzuar SPAK-un si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK-u është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. SPAK-u bunkeri i fundit i narkoqeverisë dhe po i jep imunitet korrupsionit skizofrenik. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK-u është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral. Duke qenë shërbëtori i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve. SPAK-u është mbrojtësi më i madh i parave të pista, mbyll sytë para kullave të drogës dhe investimeve me para të pista që janë pak metra larg godinës. Është mbrojtës i korrupsionit shtetëror”, ka thënë Blushi.