Mbahen shtatë dëgjime publike në lokalitete të ndryshme të Podujevës
Komuna e Podujevës ka organizuar shtatë dëgjime publike gjithëpërfshirëse me qytetarë, ku u prezantua propozim rregullorja për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet urbane dhe lagjet në Komunën e Podujevës.
Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Bahri Selimi, gjatë takimeve prezantoi udhëzimin administrativ të MAPL-së për Vetëqeverisje Lokale.
Drejtori Selimi gjatë takimit me qytetarë njoftoi qytetarët rreth rëndësisë së kësaj rregulloreje, dhe formimit të këshillave të fshatrave, ka theksuar se për Komunën e Podujevës sipas këtij udhëzimi administrativ është paraparë që të themelohen 6 këshilla lokale urbane dhe 24 këshilla lokale të fshatrave.
“Qëllimi i themelimit të këtyre këshillave është komunikimi dhe bashkëpunimi më i afërt i komunitetit me Komunën. Përfshirja e komunitetit përmes formimit të këshillave lokale do të ndihmojë qytetarët të bashkëpunojnë me Komunën në çështje të planifikimit urban dhe rural të lokalitetit, furnizimin me ujë, rregullimin e kanalizimit si dhe në gjitha çështjet që ndërlidhen me shërbime publike, shëndetësinë publike, mbrojtjen lokale të ambientit, turizmin, dhe aktivitetet kulturore dhe sportive”, ka thënë drejtori Selimi.
Gjatë këtyre takimeve me qytetarë u dhanë propozime dhe sugjerime të ndryshme nga qytetarët ku një ndër propozimet e çdo takimi ishte rritja e numrit të këshillave të fshatrave, sepse sipas qytetarëve kjo do të jetë jo funksionale për shkak numrit të madh të fshatrave dhe problemeve dhe kërkesave që ata kanë.
Dëgjimet publike u mbajtën në Shkollën e fshatit Sfeçël, Orllan, Gllamnik, Lluzhan, Kërpimeh, në sallën e mbledhjeve të Kuvendit komunal në Komunë, si dhe në Shkollën “Ibrahim Rugova” në qytet.
Qytetarët pjesëmarrës të debateve ishin edhe të fshatrave dhe vendbanimeve përreth.