Mbahet akademi komemorative në nderim të profesor Skënder Gashit
Akademikë, profesorë, ministra dhe miq kanë marrë pjesë në akademinë komemorative, të cilën Instituti Albanologjik e ka organizuar në nderim të figurës së prof. dr. Skender Gashit.
Gashi, i cili ka ndërruar jetë të enjten në Vjenë, kishte nisur punën e parë të tij, pikërisht në Institutin Albanologjik të Kosovës.
Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë se profesor Skënder Gashi ka dhënë një kontribut të madh në këtë institut, duke shtuar se ikja e tij nga jeta ka lënë zbrazëti të madhe.
I pranishëm në këtë akademi ishte edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili duke ngushëlluar familjen Gashi, ka thënë se Kosova ka humbur një njëri të madh.
Ndërsa, zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, i cili njëherë është djali i profesor Gashit, ka falënderuar të gjithë për kujdesin dhe fjalët e mira.
Gashi ka thënë se për shkak të procedurave ende nuk e kanë caktuar kohën e varrimit të profesor Gashit, por se për këtë do të njoftohen me kohë.
Skender Gashi ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
/Epoka e re/