Mbahet akademi përkujtimore për Adem Demaçin
Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u mbajt të mërkurën akademi përkujtimore për nder të veprimtarit dhe intelektualit Adem Demaçi, me rastin e pesëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti fjalën e tij e filloi duke thënë se sa herë që i vjen rasti të flas apo të shkruaj për Adem Demaçin, përballet me vështirësinë e të orientuarit në botën aq të madhe që ai e ka ndërtuar me vepra dhe që e ka lënë pas me trashëgiminë jetësore të tij.
“Nga cili fill t’ia nisesh shpalosjes së jetës së këtij njeriu kaq të veçantë saqë autentik në historinë politike të shqiptarëve dhe të Evropës në shekullin e XX. Për ata që nuk kanë pasur fatin ta njohin nga afër, besoj që porta e duhur për t’u futur në botën e Adem Demaçit, është duke e lexuar romanin e tij autobiografik Dashuria kuantike e filanit, ku ai e rrëfen jetën e ti”, u shpreh kryeministri.
Duke kujtuar rrugëtimin e Adem Demaçit dhe rezistencën e tij, kryeministri tha se baca Adem shihej si problematik për pushtetin shtypës të Beogradit, meqë e kishte kundërshtuar nxitjen e shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi dhe aksionet përndjekëse për grumbullimin e armëve.
Gazetar dhe shkrimtar në profesion, guximtar dhe patriot në drejtim, aktivist dhe politikan në veprim, disident dhe i pathyeshëm në metoda, i ditur në mendje dhe njerëzor në zemër. Ky, sipas kryeministrit, ishte Adem Demaçi përballë shkrimit, përballë burgjeve, përballë lirisë dhe përballë historisë.
Kryeministri Kurti përmbylli fjalën e tij duke i shprehur lavdi jetës aq unike dhe veprës aq autentike të Adem Demaçit për jetë e mot!
Përpos kryeministrit, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Shefki Sadiku, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë dhe Abetare Demaçi, vajza e veprimtarit dhe intelektualit Adem Demaçi.
Ndërkaq, kjo akademi u përcoll edhe me performancë muzikore nga Avni Mula me “Agimet shqiptare” , “Mes dashurive” – Çesk Zadeja, “Kroi i fshatit tone” – Kristo Kono, “O vendi im” – Rashid Krasniqi, “Unë, biri yt Kosovë” Feim Ibrahimi, interpretuar nga Besa Llugiqi, soprano dhe Valton Beqiri, piano.