Mbahet aksion simbolik kundër diskursit të partive në fushatë ndaj grave: Po e shohin gruan si një mjet për riprodhim
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA bashkë me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK), kanë mbajtur një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës lidhur me premtimet e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ato me një baner në duar me mbishkrimin: “Politika për barazi, jo paga për riprodhim”, kanë kërkuar mbështetje për punësimin e grave dhe avancimit të të drejtave të tyre.
Eleta Shala nga RRGK-ja, ka thënë se partitë politike po e shohin gruan si një mjet për riprodhim.
“Diskursi i tyre parazgjedhor është një fushatë për kontroll mbi trupat tanë. Një parti premton 500 euro, një tjetër 5000, të tjerat paga e shtesa për lehona – por jo si mbështetje për gratë, por si një mekanizëm për t’i mbajtur ato të ngujuara në role të kujdesit, për t’i shtyrë drejt lindjeve në emër të “sigurisë së kombit” dhe “rritjes së natalitetit.” E gjithë kjo është një strategji për të forcuar kontrollin mbi trupin e gruas, për ta bërë riprodhimin një detyrë dhe jo një zgjedhje. Jemi këtu sot për të shpallur rezistencën tonë! Ne refuzojmë politikat konservatore që, nën maskën e premtimeve financiare, janë në fakt një sulm frontal ndaj autonomisë sonë trupore. Nuk do të pranojmë asnjë fushatë që kërkon të rrisë lindshmërinë në këmbim të lirisë sonë. Nuk do të lejojmë që të drejtat tona riprodhuese të shkelmohen për agjenda populiste e nacionaliste”, ka thënë Shala.
Më tutje, ajo ka theksuar se ky nuk është as progres, as mbështetje, por sipas saj është kontroll mbi trupin dhe jetën tonë.
“Këto politika nuk janë ndihmë. Janë mekanizma për të na mbajtur jashtë fuqisë punëtore, për të na privuar nga aspiratat tona, për të na kufizuar autonominë. Këto politika janë një kthim prapa! Ato nuk i japin grave më shumë mundësi, përkundrazi, i shtyjnë drejt një vendimi të detyruar nga kushtet ekonomike, jo nga dëshira apo mirëqenia e tyre. Kërkojmë politika që mbrojnë dhe fuqizojnë gratë, jo që i reduktojnë ato në riprodhim. Kërkojmë politika për barazi, mbështetje për punësimin e grave, për kujdesin ndaj fëmijëve që nuk bie vetëm mbi nënat, e për të drejtat riprodhuese të garantuara! Ne kërkojmë politika për barazi, jo paga për riprodhim!”, ka thënë Shala. /EO