
Mbahet debati për ndryshimin e rregullores për orarin e punës të bizneseve në Podujevë
Të hënën është mbajtur debat publik për propozim rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës.
Në debatin e organizuar nga Drejtoria për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Podujevës, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve të ndryshme, u zhvillua debat për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës.
Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, i ka njoftuar të pranishmit në debat lidhur me draftin e Rregullores për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset.
Drejtori Balaj ka thënë se draftimi i kësaj rregulloreje bëhet me kërkesën e shumë bizneseve që operojnë në këtë komunën. Përfaqësuesit e bizneseve në debat dolën me propozime të ndryshme rreth orarit të punës të bizneseve të ndryshme.
Kuvendi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e mbajtur më 10.03.2021 ka miratuar vendimin për vënie në diskutim publik të Propozimrregullores për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës.
Në kuadër të vendimit, përkatësisht diskutimit/debatit publik të përfshihet në tërësi edhe Rregullorja bazë për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, për të cilën mund të jepen propozime, sugjerime dhe vërejtje eventuale për plotësimndryshimin e saj.
Diskutimi publik zgjat 30 ditë, përkatësisht nga data 15 mars 2021 deri më 15 prill 2021.