Mbahet debati për zhvillimin e turizmit në bjeshkën e Moknës
Komuna e Pejës, në bashkëpunim me Komunën e Tutinit, Agjencinë për Zhvillim Rajonal të Sanxhakut (SEDA), organizatën joqeveritare “Merimangat e Pejës”, klubin bjeshkatar “Ahmica” nga Rozhaja dhe Institutin për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER) janë duke e realizuar projektin rajonal “Bjeshka e Moknës – perla e pazbuluar në shtegun Via Dinarica”, i cili ka mbledhur përfaqësuesit e komunave, organizatat turistike vendore, klubet sportive dhe bjeshkatare, agjencitë turistike dhe organizatat joqeveritare, të cilat së bashku e ndajnë këtë bjeshkë: komunat Rozhajë, Pejë, Istog, Zubin Potok dhe Tutin.
Këtë muaj nikoqire e forumit të dytë të projektit “Via Dinarica” është Komuna e Pejës. Fjalë rasti në këtë takim ka mbajtur drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Pejës, Xhenet Syka, dhe drejtori i InTER-it, Dragisha Mijaçiq. Me anë të këtij projekti mendohet të vendoset marrëdhënia në mes të zyrtarëve komunalë, afaristëve të turizmit dhe njësive lokale në mënyrë që bashkërisht të punohet për zhvillimin e turizmit dhe promovimit të bjeshkës së Moknës, si një destinacion i veçantë turistik që ofron përmbajtje atraktive për pushim aktiv.
Projekti do të zgjatë deri në fillim të muajit qershor, ndërsa financohet nga granti i ndarë i kornizës së projektit për zhvillim dhe promovim të turizmit, të cilin e financon Bashkësia Evropiane, ndërsa zbatohet nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.
/Epoka e re/