Mbahet debati publik për draft-rregulloren për tokën bujqësore në Malishevë
Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Malishevës ka mbajtur debatin publik me qytetarë, këshilltarë të Kuvendit Komunal të Malishevës, mbi draftrregulloren për tokën bujqësore.
Drejtori i kësaj drejtorie, Murat Hoxha, ka njoftuar se si drejtori së bashku me zyrtarët kanë hartuar draftrregulloren për tokën bujqësore. Ndërsa zyrtari i kësaj drejtorie, Milaim Morina, ka prezantuar në hollësi këtë draftrregullore, duke u bazuar në Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin nr. 02/L26 për Tokën Bujqësore, Statutin e Komunës së Malishevës dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 10/2010 për ndërrim të tokës bujqësore.
“Qëllimi i kësaj draftrregullore është që t’i caktojë procedurat dhe kriteret e vendosjes për ndërrim të përhershëm ose të përkohshëm të destinimit të tokës bujqësore. Procedurat e parapara kërkojnë në veçanti një bashkëpunim të ngushtë të organeve përkatëse kompetente për planifikimin hapësinor dhe bujqësi, përfshirë këtu edhe Kuvendin Komunal, Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Malishevë”, ka thënë Morina.
Nga ata që janë inkuadruar në debat është kërkuar që toka bujqësore të ruhet, duke zbatuar ligjin në përpikëri.
/Epoka e re/