Mbahet dëgjimi publik me banorët e katër fshatrave për përgatitjen e buxhetit të komunës së Rahovecit
Në organizim të anëtarëve të Komitetit për Politik dhe Financa (KPF) të Kuvendit Komunal të Rahovecit, është mbajtur dëgjimi publik për përgatitjen e buxhetit të komunës për vitin 2021 me banorët e fshatrave Fortesë, Sapniq, Pataqan i Ulët dhe Xërxe.
Afrim Dina, kryesues i KPF-së, i ka falënderuar banorët e pranishëm në këtë dëgjim publik duke thënë se buxheti i komunës për vitin 2021 është 4 milionë e 500 mijë euro dhe se kërkesat që do t’i marrin nga banorët do të inkorporohen në buxhetin e vitit 2021.
Besnik Popaj, kryetari i këshillit të fshatit Fortesë, i ka paraqitur kërkesat e fshatit të tij. “Përfundimi i ndërtimit të objektit të shkollës fillore, rregullimi i ndriçimit publik, rregullimi i rrugëve fushore, kubëzimi i rrugëve, rregullimi i kanalizimeve, rregullimi i shtratit të lumit ‘Belleja’ deri në dalje tek Drini i Bardhë, rregullimi i varrezave dhe rregullimi i terreneve sportive”, kanë qenë kërkesat e fshatit Fortesë.
Kurse Gëzim Mustafa, kryetar i këshillit të fshatit Pataqan i Ulët i ka prezantuar kërkesat e këtij fshati sipas prioriteteve.
“Rregullimi i proçkave të fshatit, rregullimi i kanalizimeve, kubëzimi i rrugëve, rregullimi i ndriçimit publik, rregullimi i trotuarit përgjatë rrugës kryesore të fshatit dhe rregullimi i rrugëve fushore”, është shprehur Mustafa.
Po ashtu edhe Naim Gashi, anëtar i këshillit të fshatit Sopniq i ka prezantuar kërkesat e fshatit të tij.
Ai ka thënë se rregullimi i kanalizimeve të ujerave të zeza, rregullimi i ndriçimit publik, kubëzimi i rrugëve, rregullimi i rrugëve fushore dhe hapja e një rruge që lidh fshatrat Sapniq-Fortesë, janë kërkesa të tyre.
Ndërsa edhe Murat Kryeziu, kryetar i këshillit të fshatit Xërxe i ka paraqitur kërkesat e fshatit të tij. “Kubëzimi i rrugëve brenda fshatit, rregullimi i ndriçimit publik, rregullimi i kanalizimit, ndërtimi i objekti të ri të shkollës, rregullimi i udhëkryqit afër shkollës, trajtimi i kanalit afër shkollës, rrethimin i varrezave të fshatit”, ka thënë Kryeziu.
(Q.R / Epoka e re)