Mbahet dëgjimi publik me këshillat e fshatrave në Mitrovicë për buxhetin 2021-2023
Në vazhdën e planifikimit të buxhetit për vitin 2021 dhe vlerësimet e hershme 2021- 2023, Drejtoria për Financa dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Mitrovicës, ka mbajtur dëgjimin publik të radhës me përfaqësuesit e fshatrave.
Ky dëgjim publik është mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës dhe është udhëhequr nga drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ndërsa kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të fshatrave, OJQ-ve dhe qytetarë të lokaliteteve të ndryshme.
Në takimin për planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, nënkryetari Faruk Mujka, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe ka vlerësuar se është e rëndësishme që ata të japin kërkesat dhe sugjerimet e tyre në planifikimin e buxhetit.
Po ashtu nënkryetari Mujka potencoi se ky dëgjim është pothuajse më i rëndësishmi për komunën, pasi që ka të bëjë drejtpërdrejtë me nevojat dhe kërkesat e banorëve të fshatrave dhe të lagjeve, dhe pavarësisht mundësive të kufizuara buxhetore, komuna do të mundohet të gjejë hapësirë si çdo herë të realizoj kërkesat më prioritare të banorëve.
Zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, ka bërë një prezantim të buxhetit, ku theksoi se për vitin 2021 buxheti i komunës së Mitrovicës planifikohet të jetë 21,193,585.00 euro, ku granti i përgjithshëm do të jetë në shumën prej 7,241,010 euro.
Ai më tutje ka shtuar se granti specifik për arsim do të jetë 8,776,311 euro, granti specifik për shëndetësi 2,506,903 euro si dhe financimi për teatrin 169,386 euro.
Ndërkaq, përfaqësuesit e fshatrave gjatë diskutimit për projeksionet buxhetore për vitet 2021-2023, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuara në projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës; kanalizim, asfaltim të rrugëve në lagje, rregullimin e rrugëve në fshatra, ndriçim publik, si dhe projekte të tjera.
(Q.R / Epoka e re)