Mbahet dëgjimi publik për projektkodin e drejtësisë për të mitur
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka mbajtur të premten dëgjimin publik për projektkodin e drejtësisë për të mitur.
Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, UNICEF-it, prokurorë dhe avokatë.
Duke folur për qëllimin e këtij dëgjimi, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëpërmjet këtij dëgjimi synohet të merren vërejtjet dhe sugjerimet nga institucionet të cilat janë të thirrura ta zbatojnë këtë kod.
Ajo ka thënë se ky projektkod është më i mirë sesa kodi aktual në fuqi.
Ndërsa kryetari i grupit punues, deputeti Shkumbin Demaliaj, ka prezantuar në hollësi përmbajtjen e këtij projektkodi dhe është ndalur në segmente të caktuara të tij, të cilat paraqesin risi, kundruall kodit i cili është në fuqi.
Më tutje, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Faton Fetahu dhe Ardian Bajraktari, kanë theksuar përkushtimin e kësaj ministrie për ta bërë sa më funksional ligjin, i cili sipas tyre u është nënshtruar edhe ekspertizave shtesë të UNICEF-it.
Ata kanë thënë se nëpërmjet një kapitulli të veçantë trajtohen moshat të cilat nuk marrin përgjegjësi penale.
Gjatë diskutimeve të tyre, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë një vëmendje të posaçme i kanë kushtuar edhe sigurimit të një arsimimi sa më cilësor, për çfarë është angazhuar edhe drejtori i Qendrës për Fëmijë dhe Femra në Lipjan, Heset Loku.