Mbahet dialogu ndërministror për arsimin dhe aftësimin profesional në Kosovë

21 dhjetor 2021 | 12:46

Gjendja aktuale dhe synimet e Qeverisë së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) ishin në qendër të dialogut ndërministror për AAP.

Në hapje të takimit, kryeministri Albin Kurti foli për rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional për zhvillim ekonomik të Kosovës.

“Reformimi dhe harmonizimi i sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional, luan rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë”, ka pohuar kryeministri Kurti.

Ai ka shtuar se përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe, industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar. “Kjo pasi sistemi i arsimit dhe aftësimit profesional, pa marrë parasysh që u është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur që t’u përshtatet nevojave të industrisë dhe tregut të punës”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se për të tërhequr investime të huaja në vend, një nga faktorët kyç është fuqia punëtore e kualifikuar.

“Duke qenë shteti me popullsinë më të re në Evropë, është e domosdoshme që rinia jonë të shkollohet dhe trajnohet me aftësi profesionale, për t’i shërbyer zhvillimit shoqëror”, ka deklaruar kryeministri, duke shtuar se nëpërmjet arsimit dhe aftësimit profesional, do të mund të shtohen vendet e punës, të ulet varfëria dhe të zbutet pabarazia.

“Do të duhej që edhe si institucione me përgjegjësinë tonë, por edhe si shoqëri me vetëdijen tonë, ta ngrisim më lartë profesionin dhe profesionalizmin jo akademik. Pra është e mundshme të jesh profesionist edhe pa qenë akademik”, është shprehur Kurti, duke ritheksuar se si institucione dhe shoqëri duhet të ndikojnë tek ngritja e reputacionit të profesionistëve joakademik dhe tek autoriteti i tyre.

Në këtë takim u prezantuan të gjeturat nga analiza e ndërmarrë nga Fondacioni Evropian i Trajnimeve (ETF) me titull “Rishikim i sfondit për të informuar dialogun mbi politikat në Kosovë për qeverisje dhe financim të AAP” dhe u dhanë propozime për ndërmarrjen e hapave të ardhshëm.

Gjatë këtij takimi u dhanë propozime rreth fuqizimit të bashkëpunimit me industritë, si dhe lidhjes në mes të parashikimit të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të fuqisë punëtore përmes arsimit dhe aftësimit profesional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thomas Strakosha duket se ka rifituar statusin e portierit titullar…