
Mbahet ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të Alfabetit Shqip dhe familjarëve”
Gjatë ditës së sotme, në ambientet e Fakultetit Filozofik, u mbajt ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të Alfabetit Shqip dhe familjarëve”, e organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Historisë në Fakultetin Filozofik.
Të pranishmit i nderuan me një fjalë rasti Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Bekim Baliqi, Shefi i Departamentit të Historisë, Prof. Asst. Mentor Hasani, Sh.T.Z. Petrit Malaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, dhe Çelo Hoxha, drejtor në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në fjalët e tyre, ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla ndërmjet institucioneve, të cilat mundësojnë aktivitete që u ofrojnë studiuesve dhe të interesuarve njohuri të veçanta mbi tema të mikro-historisë.
Autorja e ekspozitës, Prof. Dorina Daiu, prezantoi në detaje përmbajtjen e saj, duke paraqitur përpara pjesëmarrësve punën kërkimore që çoi në hartimin e kësaj ekspozite.