Mbahet festivali i XVIII i poezisë dhe muzikës krijuese shqiptare në diasporë
Hanife Kryeziu & Astrit Gashi
Në shtëpinë e kulturës (Rådhuset ) në Malmö të Suedisë u mbajt festivali XVIII i poezisë dhe muzikës krijuese shqiptare në diasporë. Organizatorët Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi për herë të parë mundi të huazojë sallën atraktive, nga shekulli I XV – të “Landstingssalen” e ngritur në vitin 1546.
E pikërisht për këtë sallë historike foli edhe Carina Nilsson kryetare e bashkisë së Malmös e cila shpjegoi pikturën madhështore të artistit Gustaf Cederström i cili pikturoi gjeneralin Magnus Stenbock kur foli para njerëzve në Malmö më 27 shtator 1709. Dhe pas betejës Skåne u rifitua nga danezët.
Përfaqësues nga institucionet e Kosovës ishin Sabrije Grainca nga Ministria e Diasporës si dhe Avni Zenjullahu.
Fjalim rasti mbajti dhe Fatmir Azemi nënkryetar i qytetit të Landskronës, i cili tregoi për përfaqësimin e shqiptarëve në të gjitha hallkat e shtetit suedez me sukses të veçantë të partisë Socialdemokrate si partia më e madhe politike në vend. Me fokusim për suksesin e dy deputetëve shqiptarë në parlamentin suedez.
Festivalin e moderuan dy moderatorët më brilantë në diasporë Qerim dhe Hanife Kryeziu!
Muaji tetor në të gjithë botën është muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën. E nga kjo sëmundje këtë vit humbën jetën Teuta Haziri poete si dhe aktivistja Safete Beqiri të cilat u nderuan me një minutë heshtje. U përkujtua dhe anëtari i kryesisë së USHSHS, Sabri Mehmet!
Sivjet në Festival, promovuan shumë poetë/te, me punimet e tyre nga shumë shtete të Europes. Juria e festivalit me krytaren Dr.sc Salihe Salihu, Feriz Ferizi, Astrit Gashi më çmimin e parë e nderoi Sala Jasharin me poezinë “Papritmas”, çmimin e dytë e ndanë Shpend Rrukiqi me poezinë “Perëndia dhe Shqiptarët” dhe Imri Demisai me poezinë “Jam Strugan” ndërsa çmimin e tretë po ashtu e ndanë Qerim Raqi me poezinë “Tmerrësisht vonë nisem” dhe Zyrafete Kryeziu Manaj “Dhimbja ime atdhe”.
Çmimi Gani Xhafolli iu nda Sadije Aliti për poezinë “Çobanesha e trishtuar”.
Ndërsa shpërblimet për vepra muzikore më të mira ishin: çmimin e parë kompozitori Ahmet Bella me komponimin e tij “Ti moj Arbëri”, interpretuar në mënyrë dinjitoze nga Maria Herling.
Çmimi i dytë ishte për kompozitorin nga Kosova, Sami Piraj, me kompozimin e tij “Nostalgji” nga Feride Istogu-Gillesberg, (për shkaqe shëndetësore interpretoi soprano Kaltrina Miftari) piano Vigjilencë Islami, kurse çmimin e tretë e fitoi kompozitori Gjon Gjevelekaj për komponimin “Bilbili në fluturim”.
Kaltrina Miftari soprano dhe soliste në Filharmoninë e Kosovës, këndoi disa vepra muzikore.
Çmimi i parë i fituar nga Ahmet Bella u dhurua për kampanjën në ndihmë për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit e të njëjtin veprim bënë edhe Shpend Rrukuqi, Imri Demisai si dhe Zyrafete Kryeziu Manaj.
Në këtë festival u promovuan edhe libri i Dr. Sc. Salihe Salihut “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i shtetit të Kosovës” libër i cili vlen të përkthehet edhe në gjuhën suedeze. Zyrafete Kryeziu Manaj promovoj librin “Halil Malaj – një jetë histori” dhe “Vesel Kryeziu në dritë hijet e kohës”.
Organizatorët e festivalit Ahmet Bella, sekr. org. shtroi një darkë solemne për të gjithë pjesëmarrësit të cilët i argëtuan me muzikë popullore dhe folklorike këngëtarë nga Suedia.