MBAHET FORUMI ‘BALLKANI 2030: SFIDAT NDAJ PAQES, SIGURISË E STABILITETIT’
Instituti i Studimeve Politike ‘Sami Frashëri’ në partneritet me Qendrën për Studime të Avancuara, Sarajevë, organizojnë në datat 19-20 Nëntor, në Shkodër, forumin ‘Ballkani 2030: Sfidat ndaj Paqes, Sigurisë dhe Stabilitetit’.
Në kushtet e zhvillimeve të shpejta dhe të paparashikueshme në nivel të sistemit ndërkombëtar dhe zhvillimeve rajonale prej angazhimit të Serbisë dhe palëve të treta për të trazuar gjendjen e statukuosë që mund të sjellin rindezjen e konflikteve të ngrira në Ballkan, ne synojmë:
krijimin e një koalicioni organizatash dhe individësh nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi) që vijnë nga akademia, diplomacia, angazhimi civil dhe politika, të cilët zotërojnë ekspertiza të thella dhe ndajnë shqetësime të përbashkëta për zhvillimet në rajon;
identifikimin e kërcënimeve dhe sfidave afatshkurtra dhe afatmesme ndaj paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të vendeve të rajonit të Ballkanit;
përpunimin dhe ofrimin e propozimeve politike për t’u përballur në kohë me këto rreziqe, gjetjen e zgjidhjeve adekuate, propozimin dhe inkurajimin e formave të bashkëpunimit rajonal në kushte pariteti dhe që marrin në konsideratë ndjeshmëritë specifike të vendeve të ndryshme, dhe dekurajimin e propozimeve e veprimeve që nxisin idetë separatiste që kërcënojnë integritetin territorial të vendeve të Ballkanit.
Në takimin e parë të forumit ‘Ballkani 2030: Sfidat ndaj Paqes, Sigurisë dhe Stabilitetit’ që zhvillohet në Shkodër, marrin pjesë një grup personalitetesh që vijnë nga akademia, diplomacia, politika si: Reuf Bajrovic, Azem Vllasi, Shaban Murati, Kim Mehmeti, Nexhmedin Spahiu, Admir Mulaosmanovic, etj.
Forumi i zhvillon punimet në dy ditë, ku do të trajtohen tema që lidhen me ndryshimet që po ndodhin në sistemin ndërkombëtar, zbehja e sistemit të sigurisë kolektive, ripërcaktimi i Strategjisë së Madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paqartësitë për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe si ndikojnë zhvillime të tilla në rajonin e Ballkanit. Rritja e vendeve të tjera, në veçanti Kina, dhe format e angazhimit të fuqive të mëdha, veçanërisht Rusia dhe Kina në Ballkan.
Po ashtu, theksi do të vendoset tek intensifikimi i armatimit të Serbisë dhe zhbalancimi në rritje i ekuilibrit të fuqisë në rajon, tendencat separatiste dhe kërcënimet ndaj integritetit territorial të Bosnjës dhe Kosovës dhe cënimi i sovranitetit të Malit të Zi.
Objekt diskutimi do të jenë edhe format aktuale dhe propozimet e reja të bashkëpunimit rajonal. Do të shqyrtohet nëse qasjet e tanishme të bashkëpunimit rajonal janë të drejta dhe efektive dhe do të parashtrohen ide inovative për mekanizma dhe instrumente të rinj bashkëpunimi që nxisin shkëmbimin ndërmjet qytetarëve duke mbajtur në konsideratë ndjeshmëritë e secilit vend të rajonit.
Punimet që zhvillohen ditën e shtunë më 20 Nëntor 2021, do të jenë të hapura për publikun dhe përfaqësues të medias, të cilët do të ketë hapësirën e nevojshme të bisedojnë me pjesëmarrësit për të gjitha zhvillimet rajonale.