Mbahet Forumi Ekonomik Turqi – Kosovë, i pranishëm edhe Kurti
Në Stamboll të Turqisë sot do të mbahet Forumi i parë Ekonomik i bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Para nisjes së forumit, kryeministri Albin Kurti ka takuar ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat.
Në këtë forum do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe afaristë të shumtë nga Kosova.
Gjatë qëndrimit në Turqi kryeministri Kurti ka takuar edhe afaristët shqiptarë nga sektorë të ndryshëm që veprojnë atje, të cilëve u ka bërë thirrje të investojnë në Kosovë.
Kurti ka theksuar se marrëdhënia me Turqinë është e fortë, e gjerë dhe e thellë, marrëdhënie edhe historike edhe kulturore.
“Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e siguri në anën tjetër”, ka theksuar Kurti.
Duke i njoftuar për progresin e Kosovës, kryeministri ka thënë se katër fusha ku i kemi bërë investimet më të mëdha janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia. Në aspektin e sigurisë ai përmendi ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë së Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke u trajnuar në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.