Mbahet kampionati i Kosovës në Gjimnastikë, Klubi “Elita” dhe garueset e saj rrëmbejnë vendet e para
Federata e Gjimnastikës e Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit ka mbajtur kampionatin e Kosovës në Gjimnastikë Artistike për femra dhe meshkuj. Në këto gara kanë marrë pjesë shumë klube të Kosovës me garueset e tyre. Federata e Gjimnastikës, pas përfundimit të garave të cilat tanimë kanë rritur cilësinë dhe janë duke u rritur dita-ditës, ka ndarë mirënjohje, kupa dhe shpërblime të tjera.
Kryetari i Federatës, Besimi Halili, është ndarë shumë i kënaqur me organizimin e këtij kampionati dhe me pjesëmarrjen e garueseve të cilat kanë paraqitur një performancë të shkëlqyer.
Juria në përbërje me anëtarë profesionalë ka bërë edhe poentimin e klubeve dhe garueseve (femra) si dhe garuesve (meshkuj) më të mirë.
Në kategorinë: para-pioniere, kampione e Kosovës është shpallur Bora Hoti nga Klubi i Gjimnastikës “Elita”.
Në kategorinë: pioniere, kampione e Kosovës është shpallur Vilëza Zeqiri nga Klubi i Gjimnastikës “Elita”.
Në kategorinë juniore, kampione e Kosovës është shpallur Valëza Rama nga Klubi i Gjimnastikës “Elita”.
Në kategorinë seniore, kampione e Kosovës është shpallur Lisa Zeqiri nga Klubi i Gjimnastikës “Elita”.
Ndërsa për klube, vendim e parë, sipas FGjK-së, në gjimnastikën artistike për femra e ka zënë Klubi i Gjimnastikës “Elita” me 385.94 pikë, vendin e dytë, Akademia e Gjimnastikës Ferizaj me 238.57 pikë, ndërsa vendin e tretë e ka zënë Klubi i Gjimnastikës “Fushë-Kosova”.
Ndërsa në gjimnastikën artistike për meshkuj vendin e parë e ka zënë Akademia e Gjimnastikës “Universiteti” me 125.55 pikë, në vendin e dytë është radhitur Akademia e Gjimnastikës “Ferizaj” me 66.36 pikë dhe vendi i tretë, Klubi i Gjimnastikës: “Vushtrria” me 35.35.