Mbahet Konferenca e III Ndërkombëtare “Navigim në botën e mikrobeve”
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë në konferencën e III Ndërkombëtare “Navigim në botën e mikrobeve”, e organizuar nga Shoqata e Mikrobiologëve në Kosovës.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe dr. Robert Skov, kryetar i Shoqatës Evropiane të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Ngjitëse dhe njëherësh edhe kryetar i Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjeve për Rezistencën Antimikrobike (ICARS) si dhe profesor, dr. Lul Raka.
Ministri Vitia ka theksuar se zhvillimet e hovshme të teknologjisë kanë ndërruar tërësisht kahjen e diagnozës, parandalimit, kontrollit dhe trajtimit të sëmundjeve ngjitëse.
“Sot, po jetojmë një kohë sfidash por edhe mundësish shëndetësore. Pandemia Covid-19, rezistenca ndaj antibiotikëve dhe zoonozat na rikujtojnë marrëdhënien e ngushtë midis njeriut dhe botës së mikrobeve dhe brishtësinë tonë ndaj kërcënimeve mikrobike përkundër të gjitha zhvillimeve teknologjike”, është shprehur ai.
Gjithashtu ministri Vitia ka potencuar nevojën për kërkime shkencore, inovacione dhe bashkëpunim, duke u zotuar se qeveria është dhe do të jetë e angazhuar për të mbështetur komunitetin shkencor dhe për të investuar në të ardhmen e mikrobiologjisë dhe drejtimeve të tjera, pasi që asnjëherë nuk ka qenë më urgjente.
“Në këto kohëra kritike, rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar është shumë e lartë dhe qeveria jonë është e përkushtuar në krijimin e mjediseve që inkurajojnë hulumtimin shkencor dhe bashkëpunimin global”, ka theksuar Vitia.
Bashkëpunimi dhe angazhimi gjatë dy ditëve të ardhshme të kësaj konference do të kontribuoj në përparimin e mikrobiologjisë kosovare dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.