
Mbahet konferenca “Gratë në politikën e jashtme”
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, me ftesë të zëvendësministres të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Fatmire Isaku, ka marrë pjesë në konferencën “Gratë në politikën e jashtme” që po mbahet në Shkup, në të cilën po diskutohet për domosdoshmërinë e përfshirjes së grave në pozitat vendimmarrëse, roli i tyre në politikëbërje dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe çështje tjera me rëndësi ku roli i gruas duhet të forcohet.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, zëvendësministrja Gashi e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme këtë konferencë në të cilën po shkëmbehen përvoja dhe pikëpamje në lidhje me arritjet e përfaqësimit gjinor.
Zëvendësministrja Gashi ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në avancimin e rolit të gruas në shoqëri, përkatësisht përfaqësimin e saj në pozita vendimmarrëse, gjë e cila ka reflektuar edhe në përbërjen e kabinetit qeveritar, ku gjashtë nga pesëmbëdhjetë ministri, udhëhiqen nga gratë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Gratë në pozitat vendimmarrëse në Kosovë kanë dëshmuar se suksesi është i mundur pavarësisht gjinisë”, ka pohuar ajo, duke shtuar se nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, deri tek korpusi i grave diplomate të suksesshme, Republika e Kosovës është identifikuar me shumë gra dhe vajza të reja të cilat përfaqësojnë fusha të ndryshme nga sporti, muzika, filmi e të cilat me suksesin e tyre kanë sjellë jo vetëm Kosovën, por të gjithë Ballkanin në hartën e botës.
Në mbyllje të fjalimit të saj, zëvendësministrja Gashi shtoi se nga pozita të cilën ajo e ushtron, prioritet ka krijimin e hapësirave nëpërmjet prioritizimit të diplomacisë qytetare në mënyrë që më shumë vajza dhe gra të jenë aktive në programet tona.