Mbahet konferenca “Luftimi i gjuhës së urrejtjes seksiste dhe raciste”

22 dhjetor 2022 | 12:39

Është mbajtur konferenca lansuese e raportit vjetor: “Luftimi i gjuhës së urrejtjes seksiste dhe raciste”, ku janë prezantuar të gjeturat kryesore nga monitorimi i portaleve dhe rrjeteve sociale ndaj grupeve të margjinalizuara të shoqërisë me fokus gratë, komuniteti LGBTI+, minoritetet etnike dhe personat me aftësi të kufizuara, dhe shpërndarjes së tyre në rrjete sociale.

Rezarta Delibashzade-Krasniqi, drejtoresh ekzekutive në Institutin D4D, ka treguar se gjatë vitit është bërë monitorimi i 20,585 artikujve, prej tyre janë analizuar 3 461 lajme nga mediet.

Nga ky raport janë dalë gjithashtu edhe rekomandime për politikanë që synojnë luftimin e gjuhës së urrejtjes në platforma mediatike.

Ndër rekomandimet kryesore janë zhvillimi i një Kodi të Praktikës së Kosovës në përputhje me standardet e BE-së që gjendet në Kodin e Përforcuar të Praktikës për Dezinformim (KPPD) më 2022. U theksua po ashtu se shoqëria civile e organizatat mediale duhet të krijojnë dialog të qëndrueshëm dhe formal, me synim për të mbështetur zhvillimin e legjislacionit gjithëpërfshirës për dezinformim dhe lajme të rreme.

Allen Meta, menaxher i Projektit ka thënë se njëri nga rekomandimet dhe pika kyçe që janë duke synuar si tek institucionet dhe tek akterët kyç është që të bëjnë një fushatë mbi edukimin medial.

U bë me dije se ky rekomandim ka dalë edhe nga takimet që janë zhvilluar edhe gjatë takimeve me gazetarë dhe redaktorë.

Kurse, Niman Hajdari, zëvendës Avokat i Popullit ka thënë se është e rëndësishme të bëhet edukimi për të drejtat e njeriut, sepse sipas tij, është domosdoshmëri për një shoqëri demokratike.

Ai ka theksuar se ky edukim duhet të ndodh si në shkolla dhe në universitet, sepse sipas tij, duke mos pasur një edukim kemi raste të tilla ku atakohen grupe të ndryshme shoqërore.

Ndërsa Marigona Shabiu, nga YIHR, ka theksuar se kur është atakuar komuniteti LGBTI ka pasur fare pak reagim dhe mbështetje publike, as nga aspekti politik dhe as nga kryeministri.

“Kemi gjuhën e urrejtjes edhe ndaj javës së krenarisë dhe ndaj ofendimeve që i bëhen këtyre komuniteteve e po ashtu edhe komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë nuk merret parasysh. Mirëpo ne si shoqëri civile duhet të jemi më vigjilent pa marr parasysh që institucionet duhet të bëjnë punën e tyre”, është shprehur ajo.

Bajram Ilazi, nga Voice of Roma, Ashkali dhe Egjiptian, ka pohuar pjesëtarët e komuniteteve romë ashkali dhe egjiptian nuk ndërveprojnë me komunitetin shqiptar, andaj kjo lënë të nënkuptojë se ata paragjykohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA ka zbuluar zyrtarisht renditjen e saj dhe kryesimin që…