Mbahet konferenca për integrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë
Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Caritasin zviceran ka mbajtur konferencën kombëtare: Integrimi i Qëndrueshëm i Personave të Riatdhesuar në Kosovë në kuadër të projektit “Kthimi i Qëndrueshëm i Personave të Riatdhesuar përmes Riintegrimit Socio-Ekonomik”.
Këtë konferencë e hapi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili në një fjalë rasti u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë atyre që dhanë kontributin dhe gatishmërinë për të përkrahur Republikën e Kosovës në proceset e rëndësishme shtetërore që ndërlidhen me kthimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar.
Sveçla ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, si pjesë e reformave shtetërore dhe në përputhje me agjendën Evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave, ka krijuar kornizën ligjore dhe institucionale për ripranimin e shtetasve tanë me qëndrim të paligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe për riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu ministri Sveçla duke falënderuar shtetin Zviceran për mbështetjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës u zotua se ky bashkëpunim të fuqizohet edhe më tej për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe Katarina Stocker, drejtoreshë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë si dhe Gerhard Schaumberger, drejtor i “Caritas”-it zviceran në Kosovë.
Duhet të theksohet se projekti “Kthimi i Qëndrueshëm i Personave të Riatdhesuar përmes Riintegrimit Socio-Ekonomik-SUREP” është projekt në fushën e migracionit i cili u mundëson riintegrim në shoqërinë kosovare, personave dhe familjarëve të tyre të riatdhesuar nga vendet e Evropës Perëndimore, dhe ka për qëllim riintegriminpsiko-social dhe ekonomik të personave të riatdhesuar.
Projekti SUREP financohet nga Caritas-i zviceran, Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shtatë komuna të Kosovës: Fushë Kosovë, Istog, Lipjan, Pejë Prishtinë Prizren dhe Vushtrri.