Mbahet konferenca vjetore e Ministrisë së Industrisë: Qeveria, platformë ndihmuese për zhvillimin e sektorit privat
Organizuar nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, u mbajt konferenca vjetore, në të cilën u prezantua Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Instrumentet Mbështetëse për Bizneset.
Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, tha se angazhimi dhe përkushtimi i qeverisë për mbështetjen e ndërmarrjeve, është fuqizuar tutje me Strategjinë e parë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, e miratuar nga qeveria në këtë vit.
Ai ka theksuar se gjatë këtij viti, përkrahja për industrinë prodhuese me eksporte është rritur ndjeshëm dhe Qeveria e Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, mbështetjen, që iu është bërë bizneseve në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, me masën 2.1, subvencionimi i kredive investuese.
Si rezultat i kësaj, ai theksoi se raporti i eksporteve ndaj importeve është përmirësuar nga 1 me 9 sa ka qenë në 1 me 6 sa është aktualisht, e ku vlera e mallrave në eksport për periudhën janar-nëntor 2023 arriti në 756.9 milionë apo 139% më shumë se sa në vitin 2019, që është viti i fundit parapandemik.
Gjithashtu, kryeministri përmendi edhe nivelin e punësimit në sektorin privat, i cili është rritur përmes subvencionimit për bizneset, përmes masës 1.8 “Qeveria për Familjet” dhe masës 1.3 “Mbështetja për punësim të grave”, dhe platformës së punësimit për të rinjtë nën moshën 25 vjeçare, SuperPuna.
Kryeministri Kurti shtoi se kanë hedhur hapat dhe themelet për konsolidimin e progresit afatgjatë e të qëndrueshëm të vendit, por potenciali ynë zhvillimor ndonjëherë shkon edhe përtej parashikimeve.
“Kosova është vendi i të rinjve dhe i mundësive të reja, i progresit dhe i shpresës. Krejt indikatorët ekonomikë janë më shumë se sa vetëm numra e statistika, çfarë i përmenda më përpara. Janë pikënisja e një të ardhme të ndritur dhe një rrugëtimi afatgjatë drejt të mirës publike, shpërndarjes së barabartë dhe një shoqërie sa më gjithëpërfshirëse. Sepse, qeveria dhe qeverisja jonë e përbashkët është për të gjithë, pa lënë asnjëri prapa”, tha ai.
Duke i falënderuar të gjithë për angazhimin, kontributin, që kanë bërë me ndërmarrjet e tyre, në vështirësitë që i dimë, e që nuk i dimë, Kurti tha Qeveria e Kosovës është infrastrukturë, është platformë ndihmuese për zhvillimin, rritjen dhe fitimin e sektorit privat në Republikën e Kosovës, që bartë barrën kryesore të punësimit në shoqërinë dhe vë vendin tonë.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se ky vit, përtej sfidave të shumta, është përcjellë me rezultate të prekshme, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin e të bërit biznes, zhvillimin e politikave industriale tregtare, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit, mbikëqyrjen e tregut, mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe promovimin dhe përkrahjen e investimeve dhe eksporteve.