
Mbahet kuvendi themelues i shoqatës së vullnetarëve për zjarrfikje dhe shpëtim të kryeqytetit
Pas regjistrimit të Shoqatës së Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim të Kryeqytetit, në Departamentin për Regjistrimin e Organizatave Joqeveritare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të martën u mbajt Kuvendi Themelues i Shoqatës së Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim të Kryeqytetit.
Kuvendin e përshëndetën kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, Lulzim Fushtica dhe komandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Malë Gashi.
Duke iu adresuar të pranishmëve, Rama theksoi se ndiente “një krenari të veçantë”, pasi që “me themelimin e Shoqatës së Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim, po i vendosim themelet e një force të re për mbrojtjen e jetëve dhe të pasurive të qytetarëve tanë”.
Kuvendi themelues miratoi disa dokumente shumë të rëndësishme për ecjen tutje të funksionalizimit të shoqatës, siç janë Akti Themelues i
Shoqatës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe të Organizimit të Brendshëm të Shoqatës së Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim të Kryeqytetit.
Bazuar në rregulloren e aprovuar, Kuvendi zgjodhi kryetarin e Shoqatës, Bajram Rexhepi dhe nënkryetarin e shoqatës, Murat Halimi.
Kuvendi po ashtu miratoi edhe Bordin Drejtues të Shoqatës prej 5 anëtarëve, në radhët e të cilit do të jetë edhe kryetari i Shoqatës dhe Komandanti i Zjarrfikësve Vullnetarë, i cili do të zgjidhet së shpejti nga ana e Bordit.
Kryetari Rama premtoi se ashtu si edhe deri më tani, kryeqyteti dhe ai personalisht do të vazhdojnë ta ndihmojnë këtë organizim jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke informuar të pranishmit se tanimë shoqatës i është ndarë një objekt në lagjen Kolovicë, janë ndarë një pjesë e mjeteve për renovim të objektit, janë alokuar mjete tjera shtesë për funksionalizimin e Shoqatës, si dhe falënderoi Brigadën Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim që kanë ndarë një kamion zjarrfikjeje për Shoqatën.