Mbahet manifestimi “Shala heroike”
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, është mbajtur manifestimi “Shala heroike” në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në këtë komunë.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm kryetari Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, njëherësh ish-komandant i brigadës 141 “Mehë Uka”, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi, ai i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, bashkëluftëtarë, familjarë dhe personalitete të tjera.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka thënë se rikujtimi i këtyre ngjarjeve historike tregon luftën e drejtë dhe të ndershme që kanë kryer ushtarët e UÇK-së, veçmas ata të rajonit të Shalës. “Falënderoj të gjithë njerëzit të cilët kanë luftuar burrërisht, duke treguar gatishmëri luftarake për t’i dalë në mbrojtje vendit tonë. Këta njerëz iu treguan të gjithëve se dinë të mbrojnë vendin e tyre, pavarësisht rreziqeve nëpër të cilat kalojnë. Andaj lavdi për të gjithë ata të cilët luftuan dhe ranë heroikisht për këtë vend”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, njëherësh ish-komandant i brigadës 141 “Mehë Uka”, Hysni Ahmeti, ka falënderuar të gjithë bashkëluftëtarët e tij për kontributin dhe vendosmërinë e tyre për të mbrojtur vendin, pavarësisht nga sulmet e ushtrisë serbe dhe presionet që kanë pasur nga bashkësia ndërkombëtare.
Në fund të këtij manifestimi është shfaqur edhe filmi dokumentar “Shkëmbimi”, me regji të Fazli Muharremit, ku janë pasqyruar ngjarjet historike të luftës nga ushtarët e UÇK-së të brigadës 141 “Mehë Uka”.