Mbahet mbledhja komemorative kushtuar ish-komandantit të UÇK-së, Cen Aliçkaj

16 janar 2023 | 14:53

Komuna e Deçanit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ka organizuar të hënën mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Cen Aliçkaj.

Bashkëshortja e Cenës, Lule Aliçkaj, ka thënë se është krenare me kontributin e tij për lirinë e Kosovës.

“Lamtumirë, komandanti im. Sot para teje jam krenare si bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja jote. Më kokën lart rrinë Ajshja dhe Lavdimi për të dhënë përshëndetjen e radhës, por assesi të fundit. Nuk është e fundit komandat sepse sot po kalon në përjetësi, do vazhdosh të jesh pjesë e pandarë dhe udhërrëfyes për mua, Ajshën dhe Lavdimin. Krahët më të cilët do të përqafoje e zëvendësojnë, krahët e Ajshes dhe Lavdimit. Buzëqeshjen tënde do ta gjejmë në kujtimet tona, ndërsa madhështinë tënde do ta gjejmë në çdo cep të Kosovës. Do ta mbajmë lotin dhe do të buzëqeshim sepse e dimë sesi ndihesh kur do t’i takosh bashkëluftëtarët dhe shokët e idealit. Një ditë do të vijnë edhe ne te ti, do t’i mbledh forcat dhe dëshirën për të jetuar, sepse kam amanetet që duhet përmbushur”, është shprehur Aliçkaj.

Ndërsa kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kujtuar Cen Aliçkaj si një person që ka luftuar aq shumë për Kosovën.

Po ashtu, Ramosaj ka shprehur ngushëllime edhe në emër të Nasim Hardianaj, i cili ka thënë se ka dërguar mesazh nga telefoni, që në emër të vet dhe bashkëluftëtarëve që ndodhen në burgun e Hagës t’i thonë lamtumirë Cen Aliçkajt.

Në anën tjetër, ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka thënë Cima qysh i ri ishte angazhuar për lirinë e Kosovës.

“Sot po përcjellim një bashkëkombës, por që ka një jetë të tërë në shërbim të kombit. I ri në lëvizjen e atëhershëm politike për kundërshtimin e padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në ish-Jugosllavi, njëkohësisht veprimtar i palodhshëm që edhe në ndërtimin e misioneve të reja të ushtrisë tonë, i ishte dedikuar. I kemi thënë Cimë, sepse ishte shqiptar për të gjithë, ai nuk kishte dallim, kushdo që ishte në shërbim të atdheut e kombit ai ishte bashkëluftëtar. Kam pasur nderin ta njoh në ditët e para të luftës për liri dhe që atëherë e kam ruajtur atë vlerësim… Shpresojmë se kujtimin për të do ta ruajmë aq mirë siç ishte edhe ai vetë”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje, në emër të shoqatave të luftës në Dukagjin, Gazmend Syla, e ka vlerësuar Cen Aliçkaj si një figurë të lartë për kombin.

“Ceni dallohet si luftëtar i zoti në betejat Voksh, Junik, Prilep dhe deri ne Koshare. Ai ka qene bashkëluftëtar i shumë heronjve si Shkëlzen Haradinaj, Bekim Berisha, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu e Milazim Berisha e shumë të tjerë, ku ne përpjekje për të tërhequr trupat e pajetë të dy të fundit, Xhemajlit e Milazimit do të merr plagë për vdekje, por misionin e çoi deri në fund. Falë Cenës dhe shokëve të tij sot trupat e heronjve Xhemajlit e Milazimit pushojnë në varrezat e Kosharës”, ka thënë Syla.

Kurse në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral Brigade, Naim Haziri, ka thënë se humbja e Cenë Aliçkajt është e rëndë edhe për FSK-në.

Në emër të bashkëluftëtarëve, veteran të UÇK-së, nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, Anton Çuni ka kujtuar momentin e fundit që kishte me Aliçkajn, derisa ka treguar edhe amanetin që e kishte lënë.

“Kemi shumë kujtime, shumë momente të cilat i kemi përjetuar së bashku, por po ndaj një moment të fundit….Momenti i fundit kur Cima i kishte ditët e numëruara dhe ishte plotësisht i vetëdijshëm për gjendjen e tij shëndetësore, por që nuk e kishte këtë brengë. Përmbledhja e atij amaneti ishte ‘ju lus të gjithë ju që jeni në politikë, pa marrë parasysh partinë, ideologjinë, karshi rreziqeve ndaj shtetit tonë të jeni gjithmonë së bashku’, ashtu edhe i premtuam. Jam më së i bindur se po t’i përmbahemi këtij amaneti ai do të ndihej i përmbushur, me buzëqeshje do të lutej për të ardhmen tonë individuale e kombëtare. Jam i bindur se do t’ju shërbejë gjeneratave që do të vinë se kush ishte Cen Aliçkaj e bashkëluftëtarët e tij”, ka kujtuar Çuni.

Ceremonia e varrimit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj mbahet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, në ora 15:00.

Kujtojmë që ushtari i UÇK-së, Cen Aliçkaj ka vdekur të shtunën. Ai ka qenë aktiv në veprimet kombëtare të viteve 1981, 1982 dhe gjatë gjithë jetës. Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90, Cen Aliçkaj ka qenë njëri ndër organizatorët kryesorë të Lëvizjes së Studentëve dhe aksionit të pajtimeve të gjaqeve. Për shkak të ndjekjeve nga pushteti i atëhershëm, në fillim të viteve të 90-ta ka migruar në Gjermani. Ai edhe atje e ka vazhduar veprimtarinë kombëtare, bashkë më shumë veprimtarë të tjerë. Veprimet ushtarake të Cenës kanë qenë të një niveli të lartë të trimërisë dhe atdhedashurisë./kp/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rruga e Ballkanit Perëndimor përbënte gati 45 për qind të…