Mbahet mbledhje komemorative kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Ali Ahmeti
Sot në hollin e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, nën organizimin e Komunës së Mitrovicës janë mbajtur homazhe për ish ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njërin prej organizatorëve kryesorë të protestave studentore të vitit 1997, të ndjerin, Ali Ahmeti.
Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë kryetari i komunës, Bedri Hamza, përfaqësues komunal, bashkëluftëtarë, personalitete politike, qytetarë, familjarë dhe miq, shkruan “Epoka e re”.
Pas homazheve u mbajt edhe mbledhja komemorative, ku të pranishmëve me një fjalë rasti iu është drejtuar edhe kryetari Bedri Hamza, i cili pasi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmeti për humbjen e të dashurit të tyre, ka thënë se sot jemi mbledhur për të nderuar me respektin më të thellë njërin nga djemtë më të vyer të këtij vendi dhe njërin nga djemtë më të përkushtuar e më të devotshëm të kësaj ane.
“Ali Ahmetin do ta kujtojmë gjithmonë pranë shokëve e krah shokëve, në çdo organizim të rezistencës ndaj pushtuesit. Si organizator e si pjesëmarrës i palodhshëm në çdo përpjekje të popullit për të lëvizur drejtë lirisë, si në kohën e paraluftës edhe gjatë luftës ku krahas me shokët e tjerë luftuan nën uniformën e UÇK-së, të cilën e mbajti me krenari deri në përfundim të luftës”, ka theksuar kryetari Hamza.
Në këtë mbledhje komomerative, Aliun e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, bashkëluftëtarë, përfaqësues nga Unioni Studentor i ‘97-s dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.
Ndërsa, në emër të familjes Ahmeti, të pranishmit i përshëndetën dy vajzat e të ndjerët të cilat falënderuan pjesëmarrësit që po e bashkëndjenjë dhimbjen me ta.