Mbahet mbledhje komemorative në nderim të veteranit të UÇK-së Muhamet Begaj – ‘Mësuesi’
Sot në Banjë të Komunës së Malishevës, u mbajt një mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së ish-mësuesit, veteranit të UÇK-së, ish-pjesëtarit të TMK-së dhe së fundmi zyrtarit në Ministrinë e Infrastrukturës, majorit Muhamet Begaj – Mësuesi, (1963-2024), i cili u nda nga jeta, mbrëmë më 14 janar.
Në mbledhjen komemorative, krahas familjarëve, morën pjesë edhe ish-bashkëluftëtari dhe eprori Fatmir Limaj (kryetari i Nisma Social Demokrate), kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati me bashkëpunëtorë, struktura të larta të FSK-sw, të Ministrisë së Infrastrukturës, bashkëluftëtarë dhe bashkëfshatarë të shumtë.
Në fjalët e rastit, ish bashkëluftëtari dhe bashkëveprimtari Fatmir Limaj, foli për fillimet e para të aktiviteteve të Muhamet Begaj, i njohur si “Mësuesi”, që nga ilegaliteti, e deri në kontributin e tij pas çlirimit.
“Mësuesi, ishte një njeri, që në kuptimin e plotë të fjalës, e ka përmbushur misionin e tij në jetë, me angazhimin e tij në organizimin shoqëror, kombëtar, në luftë dhe pas lufte, dhe ishte një njeri me qëllime të qarta, të cilat i ka arritur”, tha mes tjerash, kryetari i Nisma Social Demokrate dhe bashkëluftëtari i tij, Fatmir Limaj.
Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e rastit, tha se “Muhamet Begaj, ishte një person i dëshmuar dhe me virtyte të larta, i dëshmuar në fushën e arsimit, i dëshmuar në çështjen kombëtare dhe në luftën për liri, si dhe i dëshmuar në organizmin e jetës edhe pas luftës, prandaj, është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por për tërë Komunën e Malishevës”.
Në emër të degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, foli kryetari Metush Kryeziu, duke e vlerësuar lartë angazhimin e Muhamet Begajt-Mësuesit, gjatë luftës, jo vetëm si luftëtar, por edhe si udhëheqës ushtarak, i cili fillimisht ishte prej ushtarëve të parë të njësisë “Çeliku”, e për vazhduar si Komandant i Batalionit të parë në Brigadën 122 “Imer Krasniqi”, në Zonën Operative të Pashktrikut dhe për ta përfunduar karrierën ushtarake në TMK, në komandën e Doktrinës dhe Trajnimit, si ligjërues.
Për biografinë e major Muhamet Begaj, i njohur si Mësuesi, ka folur bashkëluftëtari dhe bashkëfshatari, Milaim Shala.
Muhamet Begaj, ishte mësues, ndërsa në të njëjtën kohë ishte i angazhuar në luftën për liri, duke qenë pjesë e ilegales dhe më pas, ju bashkua radhëve të UÇK-së. Ishte komandant i Batalionit të Parë, në Brigadën 122, ZOP dhe më pas pjesëtar i TMK-së, me gradën ushtarake major. Ishte për dy mandate kryetar i fshatit dhe kryetar i Klubit të Notit “Besa” në Banjë.
Muhamet Begaj-Mësuesi, me nderime të larta ushtarake, u varros sot në varrezat e lagjes në fshatin Banjë.