Mbahet mbledhje komemorative në përkujtim të prof. Safet Beqiri
Në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë është mbajtur mbledhje komemorative për të përkujtuar punën dhe veprimtarinë profesionale e shkencore të profesor Safet Beqiri.
Profesorë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë kanë përkujtuar figurën e profesorit që gjithë jetën ua përkushtoi pacientëve dhe studentëve.
Duke folur në këtë mbledhje komemorative, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, kujtoi veprën dhe jetën e Beqirit, derisa tha se nuk ka humbur vetëm familja, por gjithë Dekanati i Mjekësisë dhe Kirurgjia Torakale.
“Lajmi për vdekjen e hershme, ishte një lajm i hidhur për Dekanatin e Mjekësisë. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe ishte anëtar i shumë organizatave. Kisha nderin të punoja me Safetin, i afërt, i sinqertë dhe një humanist dhe profesionist i çmuar”, tha Manxhuka.
Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, theksoi se profesori kishte për qëllim ngritjen e institucioneve të Kosovës. Ai e quajti atë ambasador të Kosovës në Gjermani.
“Puna dhe vepra e humanistit dhe profesionistit na bën krenar. Kishte për qëllim ngritjen e institucioneve. Dijen e tij e kanë absorbuar të gjithë kolegët dhe studentët, theksoi Sejdiu.
Për punën dhe kujtimet me prof. Beqirin, folën edhe kolegët nga Gjermania, Eckvard Mayer dhe Servet Bolukbash, të cilët thanë se ai nuk e harroi asnjëherë vendlindjen e tij, ishte humanist dhe profesionist i mirë.
/Epoka e re/