Mbahet mbledhje komemorative për dr. Hajrullah Saraçin
Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së anesteziologut dhe u.d. drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë, dr. Hajrullah Saraçi.
Miq, kolegë, bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë evokuar kujtime nga puna, jeta dhe veprimtaria e tij, duke e vlerësuar lartë figurën e tij prej një humanisti dhe profesionisti të dalluar.
Në emër të ShSKUK-së, të pranishmëve u është drejtuar, dr. Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, i cili pasi shprehu ngushëllime lidhur me vdekjen e tij.
Ai ka thënë se dr. Saraçi do të kujtohet si një profesionist i mirë, njeri human dhe menaxher i mirë.
“Edhe pse e njoha për kohë të shkurtër, ishte mjaftueshëm për të vlerësuar punën e tij si menaxher i mirë për avancim të shërbimeve shëndetësore”, është shprehur ai.
Sipas tij, shëndetësia e Kosovës dhe anesteziologjia humbi një profesionist të mirë, kolegët një mik të çmuar, kurse familja më të dashurin e tyre.
Dr. Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv ka thënë se dr. Saraçi ishte anesteziolog shembull dhe student i dalluar. “Ishte njeri me vlera të larta njerëzore e profesionale, që do të shërbejë si referencë për anesteziologët dhe anesteziologjinë”.
Në emër të Asociacionit të Anesteziologëve ka folur dr. Lulzim Emini, i cili evokoi kujtime nga fillimet e specializimit të dr. Saraçit, duke e përmendur edhe kohën që dr. Saraçi kishte kaluar në spitalet e Gjermanisë dhe eksperiencën që kishte sjellë në Kosovë.
Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi vëllai i të ndjerit, i cili ka theksuar se dr. Hajrullahu ishte gjithmonë i angazhuar për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore, fillimisht në QKUK, e sidomos në krijimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Spitalit të Vushtrrisë.
Varrimi i dr. Hajrullah Saraçi, do të bëhet sot, në fshatin e tij të lindjes, në Bivolak të Komunës së Vushtrrisë.