Mbahet mbledhje komemorative për Ramush Tahirin, Aliu e quan intelektual të papërsëritshëm

14 gusht 2021 | 13:32

Për të nderuar veprimtarinë e politologut, gazetarit e analistit politik Ramush Tahiri, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj u mbajt mbledhje komemorative

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se Tahiri ishte intelektual i  papërsëritshëm, duke e quajtur mik të çmuar.

“Miku im Ramush, kjo sallë është e heshtur dhe e mbushur me pikëllim për ty, shpejt na e dhe lamtumirën, të kisha mik e gjithmonë të çmova si më të shtrenjtin ferizajas”, ka thënë Aliu.

Gazetari Nehat Islami ka thënë se argumenti për Ramush Tahirin ishte mbështetja kur fliste për proceset politike.

“Ramushi nuk shkoi për studime në Zagreb që të bëhej sekretar diku. Ai shkoi të shkollohej për të bërë ndryshimet ndaj sistemit komunist”, ka theksuar Islami.

Akademiku Ali Aliu ka thënë se vendi dhe shoqëria mbeti pa një njeri të mirë.

Ndërkaq ish-ambasadori Avni Spahiu ka deklaruar se sot është ditë pikëllimi për tërë Kosovën.

“Ramushi ishte personalitet me kontribut të madh intelektual, i cili e vuri veten në shërbim të kauzës kombëtare. Ishte veprimtar dhe kontribues shumë dimensional dhe nga më të shquarit”, ka thënë Spahiu.

Djali i Ramush Tahirit, Kreshniku tha se po ndihet krenar e fatlum për fjalët e mira që u thanë për prindin e tij, pavarësisht dhimbjes që kanë.

Varrimi i Ramush Tahirit bëhet në orën 14:00 në fshatin Dremjak të Ferizajt. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngushëlluar për vdekjen e…