Mbahet programi përmbyllës i fushatës “Art për Shpresë”

19 prill 2023 | 12:02

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë të martën në mbrëmje në programin përmbyllës të fushatës “Art për Shpresë”.

Osmani ka thënë se është e nderuar që të jetë në këtë iftar të përbashkët, ku të gjithë i mbledhim forcat bashkë rreth një kauze kaq të rëndësishme e humanitare, e këtë po e bëjmë në muajin e shenjët të Ramazanit, që është muaj i mirësisë e solidaritetit ndërnjerëzor.

“Populli ynë, populli i Kosovës e ka traditë që gjithnjë t’i qëndrojë pranë njëri-tjetrit. Solidaritetin e kemi kultivuar në vazhdimësi, ashtu siç i jemi gjetur pranë edhe shtetit turk në muajin shkurt pas tërmetit shkatërrues, e sërish jemi edhe sonte këtu për ta demonstruar shpirtin human për qytetarët turq që kanë nevojë edhe më tej për ndihmën dhe përkrahjen tonë”, ka thënë Osmani.

Ky aktivitet që mbanë emrin “Art dhe shpresë”, sipas presidentes, është një përpjekje që sadopak t’u dalim ndihmë miqve tanë në Turqi, dhe të gjithë atyre që pësuan nga tërmeti i shkurtit të këtij viti, i cili mori mijëra jetë dhe la shumë njerëz pa strehë.

“Secili nga ne mund të bëj diçka pak që për ta do të thotë shumë. Ata që më së shumti e treguan shpirtin solidar të Kosovës ishin ushtarët tanë të FSK-së dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit. Ata shpëtuan jetë dhe njëkohësisht u shndërruan në krenarinë e vendit tonë. Natyrisht që pasojat e kësaj tragjedie janë tepër të mëdha, për fat të keq jetërat nuk kthehen më, por janë lidhjet ndërmjet popujve, lidhjet e fuqishme që janë krijuar gjatë kësaj periudhe që sadopak do t’ju ndihmojnë që ta zbusin këtë dhimbje”, ka theksuar presidentja.

Më tej, Osmani ka thënë se secili qytetar i Kosovës e ndanë dhimbjen me ta dhe do të bëjnë çfarëdo që munden që t’u dalin në ndihmë për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bostoni udhëheq 2-0 serinë e ndeshjeve çerekfinale “play-off” ndaj Atlanta,…