Mbahet punëtoria për hartimin e draftit të rregullores për krijimin dhe funksionimin e ekipeve të hetimit
Në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, Këshilli Prokurorial i Kosovës, përkatësisht Grupi punues për hartimin e draftit të Rregullores për Krijimin dhe Funksionimin e Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit, i kryesuar nga zëvendëskryeprokurori në Prokurorinë Speciale, Valdet Gashi dhe i mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë, ka organizuar një punëtori dyditore për hartimin e këtij akti të rëndësishëm nënligjor.
Në punëtori po marrin pjesë përfaqësues të sistemit prokurorial, Policisë së Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare, Doganës së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, të Zyrës së BE-së dhe EULEX-it.
Kryesuesi i Grupit punues, Valdet Gashi, tha se qëllimi i hartimit të draftit të Rregullores për Krijimin dhe Funksionimin e Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit rrjedh Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe nga Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Siç u tha më tej nga pjesëmarrësit në sesionet e ditës së parë, rëndësia e këtij dokumenti nënligjor është se me anë të tij do të mundësohet themelimi i ekipeve të përbashkëta hetimore multidisiplinare për të siguruar hetimin dhe ndjekjen më efikase të veprave penale komplekse, të cilat janë në kompetencën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjithashtu, edhe gjatë sesioneve në ditës së dytë vijim do të diskutohen çështjet e përcaktimit të kritereve, organizimit të brendshëm, metodave operacionale, bashkëpunimit dhe procedurave të punës për Ekipet e Përbashkëta të Hetimit, duke pasur gjithnjë në fokus kryesor përmirësimin e cilësisë së hetimeve në PSRK-së dhe efektivitetin operacional të mekanizmave të tjerë të sigurisë.