Mbahet punëtoria për komasacionin e tokave bujqësore
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbajti punëtori lidhur me komasacionin e tokave bujqësore ngase procesi i komasacionit ka rol kyç në përmirësimin e përgjithshëm të zonave rurale dhe promovon përdorimin ekonomik dhe racional të tokës.
Në këtë punëtori morën pjesë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Mentor Hyseni, ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, përfaqësues nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, përfaqësues të Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmenti i AKP-së, duke përfshirë edhe palët tjera të interesit që në mënyrë direkte apo indirekte kontribuojnë në adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve të komasacionit.
Në këtë punëtori të përbashkët pjesëmarrësit u pajtuan të ofrojnë kontributin e tyre relevant në mënyrë që të adresohet çështja e problemeve pronësore të cilat i ka prodhuar procesi i papërfunduar i komasacionit.
Gjithashtu akterët u pajtuan të shikohet mundësia ligjore që të pezullohet puna e komisioneve komunale për komasacion dhe të pezullohet zbatimi të komasacioneve për pronat shoqërore dhe regjistrimi i tyre si dhe të bëhet rivlerësimi i të gjitha vendimeve për pronat shoqërore.
Kjo me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve eventuale dhe dëmtimit të pronave të ndërmarrjeve shoqërore nën administrim të AKP-së.
Për më tepër palët pjesëmarrëse në këtë punëtori u pajtuan dhe u zotuan që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërinstitucional edhe në të ardhmen me qëllim të adresimit sa më efikas të kësaj çështje.